Këto pamje vitet e fundit të ndodh shpesh t’i shohësh në Vlorë. Forcat speciale RENEA jo më kot zhvendosen atje që fund të pranverës e deri në përfundim të vjeshtës. Një njësi e RENEA-s është aty në gatishmëri për gjithçka. Disa personazhe i njohin mirë, i kanë mbajtur në vëzhgim e i kanë arrestuar disa herë. Rrezikshmëria e tyre është e lartë dhe kjo kërkon ndërhyrjen e forcave speciale.
RENEA shtriu barkas në tokë e i vuri prangat Satilno Bashos, 37 vjeç dhe mikut të tij Mariglen Aliaj, 33 vjeç. Ata u kapën teksa po qëndronin me 2 pistoleta, një “Glock” e një “TT” të gatshme për qitje në ambientet e lokalit në lagjen “Lef Sallata”. Policia tha se ata rezultojnë pjesëtarë të një grupi kriminal dhe gjatë operacionit të koduar “Obelisk” kishin parandaluar një vrasje. Ata po mbaheshin prej kohësh në vëzhgim nga agjentë civilë të Policisë së Vlorës. Informacionet flisnin për një krim që ata po përgatiteshin të kryenin për llogari të një grupi kriminal. Por për t’i arrestuar duhej patjetër RENEA.
Gjatë operacionit të 17 shtatorit në pranga ranë edhe 4 persona të tjerë për moskallëzim krimi: Bruno Shehu, 29 vjeç, Mehmet Hoxhaj, 27 vjeç, Beraldo Xhindi, 29 vjeç dhe Kevin Metaj, 28 vjeç.
Personazhi që po vëzhgohej nga Policia ishte Satilno Basho, që në Vlorë njihet si vëllai i Tesit, të fortit të Selecinës, Tesilvan Basho. Për herë të fundit ai ishte arrestuar po nga RENEA, bashkë me të vëllain. Për disa vite ata njiheshin si anëtarë të bandës së Llanajve, por tashmë ata kanë krijuar grupin e tyre që mendohet se vete Tesi e drejton nga burgu.
Lidhjet e forta që vëllezërit Basho kishin në Polici, bënin që operacionet për kapjen e tyre të dështonin njëri-pas tjetrit. Derisa u arrestuan më 16 tetor të vitit 2019 gjatë një operacioni të befasishëm të RENEA-s. Operacioni u realizua për arrestimin e Tesit, që kërkohej nga Italia për vrasje. Por bashkë me të kap edhe vëllai i tij, Satilno, që akuzohej për gjobëvenie. Edhe pse u arrestua me qëllim ekstradimi drejt Italisë, Tesilvan Basho nuk u dërgua atje për vuajtjen e dënimit. Drejtësia Italiane solli në Shqipëri dosjen dhe kërkonte që të njihej vendimi me burgim të përjetshëm për të, por Gjykata e Vlorës i njohur vetëm 14 vite burgim. Tesi aktualisht ndodhet në burg, ndërsa i vëllai ishte liruar prej pak kohësh.
Arrestohen në Selenicë vëllezërit Tesilvan e Satilno Basho
Pas 5 operacioneve të dështuara të forcave speciale, më 16 tetor 2019 RENEA arriti të “mbërthente” në Selenicë të Vlorës, një të shumëkërkuar, të dënuar me burgim të përjetshëm në Itali, që ishte arratisur nga burgu. Ky personazh ishte Tesilvan Basho, i njohur si Tesi, që vitet e fundit para se të prangosej, falë edhe informatorëve që kishte në Policinë lokale, kishte kthyer duarbosh forcat RENEA, të nisura disa herë për ta arrestuar. Në një prej këtyre operacioneve, atë të vitit 2017 forcat speciale i ishin afruar shumë vendit ku ai fshihej, por në çastet e fundit ai ishte larguar. Gjithmonë pati informacione se persona brenda radhëve të Policisë e informonin për të gjitha operacionet, por asnjëherë nuk u provua dot asgjë. Ndërsa para 4 vitesh gjithçka u koordinua mirë nga RENEA. Basho u rrethua në befasi në Selenicë, por kësaj here tentativa e tij për t’i shpëtuar prangave dështoi. Edhe pse bëri të nxirrte nga brezi pistoletën, që e kishte me fishek në fole, kundërshtimi ndaj forcave speciale mbeti vetëm në atë fazë, pasi efektivët e shtrinë menjëherë në tokë. Më pas nuk pati më asnjë reagim nga ana e tij. I rrezikshmi i Vlorës u çarmatos me shpejtësi dhe iu vunë prangat. Ndërsa në kthim, në vazhdim të operacionit të koordinuar deri në detaje, u prangos edhe vëllai i tij, Satilno Basho, në atë kohë 33 vjeç, i dyshuar për gjobëvënie. Për të shtetas kishte urdhër-ndalimi nga Prokuroria e Krimeve të Rënda. Të dy vëllezërit, akuzoheshin në në janar të vitit 2017 i kishin vënë 100 mijë euro gjobë biznesmenit Sulejman Hoxha, që është daja i nënës së tyre.
Në seancën e masës së sigurisë për Satilno Bashon, Prokuroria argumentonte se në sajë të kallëzimit të bërë nga biznesmeni Sulejman Hoxha, i akuzuari i ka bëre presion për t’i dhënë shumën prej 100 mijë eurosh. Shumë që sipas akuzës lidhej me pjesën e një toke ku vëllezërit Basho kishin pjesë takuese. Ndërkohe ky pretendim i biznesmenit Hoxha u hodh poshtë nga Santilo Basho gjatë seancës.
Satilno Basho: “Nuk kam lidhje me këtë akuzë. Unë kam shumë marrëdhënie të mira me dajën. Më ka ndihmuar sa herë që kam pasur nevojë. Ai kërkoi vetë që të shkoja e ta takoja unë për të marrë lekët dhe kur e kam marr vesh që është ankuar në Polici i kam thënë: ‘Pse më fut mua në këtë mesele?’. Atëherë e kam takuar edhe dajën dhe më ka thënë: ‘Nëse ti arrestohesh unë do vij të deklaroj se ti s’ke lidhje me këtë gjë’. Më pas ky konflikt pronësie u zgjidh mes familjeve tona.
Por na ana tjetër, vëllezërit Basho ishin të dyshuar edhe për përfshirjen e tyre në vrasje e atentate të dështuara, si pjesë e grupit të Llanajve, por edhe për kultivim kanabisi e trafik lëndësh narkotike. Gjatë operacionit për arrestimin e tyre, u sekuestruan 4 kallashnikovë, një pistoletë por edhe kallëpe tritoli, jelekë antiplumb, radio si ato të policisë, si dhe një sasi kanabisi e para.
Tesi arratiset nga burgu i Rebibias bashkë me dy shqiptarë
Tesilvan Basho është një nga tre të dënuarit shqiptarë që u arratisën më 27 tetor të vitit 2016 nga burgu i Rebibias, në Itali, duke përdorur çarçafët si litarë. Në atë kohë raportohej se ngjarja kishte ndodhur mes orës 6:00 dhe 6:15 të mëngjesit. Tre të dënuarit kishin sharruar hekurat e dritares së qelisë së ndodhur në katin e parë, kanë hipur në murin rrethues e më pas kanë zbritur prej tij përmes çarçafëve. Policia italiane deklaronte në atë kohë se të arratisur ishin shqiptarët, Tesi Basho, i dënuar me burgim të përjetshëm për vrasje, Ilir Pere, i dënuar për tentativë vrasje dhe Mikel Hasanbelliu, i dënuar për shfrytëzim prostitucion. Tre të arratisurit pranë shtretërve të e tyre kishin vendosur kartonë të mbuluar me batanije, si gjurmë të trupave të tyre të shtrira, në mënyrë që mos të shkaktohej menjëherë alarmi i mungesës së tyre. Ndërsa në hekurat e sharruar të qelisë kishin varur një bluzë për të fshehur të çarën që kishin hapur për t’u larguar nga qelia. Të dënuarit ndodheshin në repartin G9 të burgut dhe mediat italiane shpreheshin në atë kohë se përbënin rrezikshmëri të lartë. Menjëherë pas kësaj ngjarje autoritetet italiane nisën kërkimet, duke analizuar kamerat e mbikëqyrjes dhe duke ngritur postblloqe në zona të ndryshme. Pas disa muajsh në arrati, në shkurt të vitit 2017, Policia italiane mundi të prangosë një nga shqiptarët, që u arratisën nga burgu Rebibia në Romë. Shqiptari që u kap nga policia e Milanos ishte Mikel Hasanbelliu.
Mediat italiane shkruanin se, sipas autoriteteve vendase më i rrezikshmi konsiderohej Tesi Basho, i dënua me burgim të përjetshëm për vrasje të dyfishtë. Ai është dënuar në vitin 2008 për vrasjen e dy rumunëve. Vrasja ndodhi në janar të vitit 2008 dhe Basho i ekzekutoi me 13 plumba. Por më herët, ishte akuzuar edhe për vrasjen e dy vajzave që ushtronin prostitucion, madje njëra shfrytëzohej nga vetë Basho. Pas vrasjes së një çifti rumun, Basho u largua në Amsterdam, për t’u arrestuar disa muaj më vonë nga Interpoli italian.
Pas arratisjes nga burgu, Tesilvan Basho dyshohet se mbërriti në brigjet shqiptare me një skaf dhe u vendos në vendlindjen e tij, Selenicë, duke përdorur identitetin e rremë Thanas Lame. Deri ditën që u arrestua nga RENEA, Tesi ka jetuar i qetë mes Vlorës dhe Tiranës, madje edhe është martuar në një ceremoni të madhe, nën hundën e Policisë. Por gjatë kësaj kohe, ai ka rivendosur edhe lidhjet e tij me botën e krimit, duke u fuqizuare edhe më tepër.
Satilno Basho tenton të vrasë për hakmarrje policin
Me një maskë në kokë e me doreza, Satilno Basho ka plagosur me pistoletë, duke tentuar të vrasë për motive hakmarrjeje, efektivin e Policisë së Vlorës, Renaldo Avduli. Ngjarja ka ndodhur më 25 shkurt të vitit 2007, rreth orës 18.30, kur Basho ka hyrë në lokalin e efektivit Avduli dhe 4 persona të tjerë. Sapo ka hyrë në lokal ai i ka drejtuar pistoletën Renaldo Avdulit, i cili në atë moment po futej tek banaku. Ka qëlluar menjëherë drejt tij dhe e ka goditur. Por pas goditjes së parë, një nga dëshmitarët që ndodhej në vendngjarje i është hedhur Bashos sipër duke e rrëzuar në tokë. Ndërkohë është afruar edhe një tjetër person që ndodhej aty, i cili i ka bllokuar dorën duke u përpjekur që t’i hiqte pistoletën. Në përpjekje e sipër pistoleta ka shkrepur edhe një herë pa shkaktuar dëme. Nga jashtë lokalit ka ardhur shtetasi oficeri i Policisë Festim Lelaj, i cili ka marrë armën e zjarrit dhe ka ndihmuar kolegun e tij Renaldo Avduli, duke e shoqëruar për në spital me një automjet të rastit. Ndërsa dëshmitarët që ndodheshin në lokal, kanë mbajtur të bllokuar autorin Satilno Basho, derisa aty kanë mbërritur shërbimet e Policisë së e kanë shoqëruar për në Komisariat. Për këtë ngjarje, Satilno Basho është shpallur fajtor dhe është dënuar me 10 vite burgim.
Policia njofton herë pas here për personazhe të rrezikshëm që arrestohen në tentativë për të kryer vrasje. Vrasjet parandalohen e të dyshuarit çohen në burg. Por kur vëmendja mediatike largohet prej tyre, në një moment vjen një njoftim tjetër nga Policia që thotë se e ka arrestuar sërish të njëjtin person. Kështu ndodhi edhe me Satilno Bashon. I dyshuar për vepra të rënda penale që nuk i janë provuar dhe i dënuar më parë me minimumin e dënimit për ngjarje të rënda, ai ishte lënë i lirë sërish. E prapë ishte aktivizuar, ndoshta edhe më i fuqishëm, për të kryer krimin e radhës. Si ai ka dhe shumë të tjerë. Institucionet ligjzbatuese në raste të tilla i pasojnë përgjegjësinë njëra-tjetrës. Por për vrasje që ndodhin nga përsëritës krimesh askush nuk mban përgjegjësi.