Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, së bashku me zëvendëskryeministren dhe Ministren e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla Schwarz, kanë pritur të mërkurën, në një takim të përbashkët, ambasadorët dhe diplomatët e akredituar të misioneve diplomatike në Republikën e Kosovës.
Zyra e shtypit e qeverisë së Kosovës njofton se temë qendrore e këtij takimi ishte “sulmi terrorist i datës 24 shtator mbi Policinë e Kosovës në fshatin Banjskë të Zveçanit, nga i cili u vra në krye të detyrës, rreshteri i Policisë, tash Heroi i Kosovës, Afrim Bunjaku”.
Në adresimin e tyre para diplomatëve ndërkombëtarë, Kurti dhe Gërvalla, i njoftuan diplomatët ndërkombëtarë mbi zhvillimet më të fundit sa i përket situatës së sigurisë në vend, prezantuan qëndrimet zyrtare të Republikës së Kosovës ndaj këtij sulmi terrorist dhe njëherazi kërkuan, që komuniteti ndërkombëtar të dënojë fuqishëm veprimet destabilizuese të institucioneve shtetërore të Serbisë në Republikën e Kosovës.
Gjatë takimit, Kryeministri Kurti dhe Zëvendëskryeministrja Gërvalla, theksuan se Qeveria dhe institucionet e Republikës së Kosovës edhe një herë kanë dëshmuar profesionalizëm dhe maturi, duke treguar se janë në shërbim të të gjithë qytetarëve pa dallim dhe paralelisht me këtë angazhimin e tyre për garantimin e integritetit territorial, sigurisë, ligjshmërisë dhe kushtetutshmërisë.
Në përfundim të takimit, Kryeministri Kurti dhe Zëvendëskryeministrja Gërvalla kanë ripërsëritur qëndrimin se institucionet e Republikës së Kosovës janë të përkushtuara për të bashkëpunuar ngushtë dhe bashkërenduar veprimet ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe shteteve partnere, aleate dhe mike për të siguruar paqe dhe siguri në vend dhe rajon.