Ministri i Brendshëm, Taulant Balla bëri homazhe dhe vendosi kurorë me lule në Kuesturën e Palermos, ku kanë zhvilluar veprimtarinë e tyre ligjore kundër mafias, dy figura të shquara si Xhovani Falkone (Giovanni Falcone) dhe Paolo Borselino (Borsellino).
“Questura di Palermo – Një kurorë me lule në përkujtim të sakrificës së heronjve magjistratët Giovanni Falcone, Paolo Borsellino dhe policët e vrarë në luftën kundër mafias. Një bisedë e frytshme me drejtuesit e Policisë dhe Karabinierisë”, shkruan Balla.
Në takimin me drejtuesit e Policisë dhe Karabinierisë italiane, Balla u shpreh se është e rëndësishme që vendi ynë të mësojë nga eksperienca italiane sa i përket hetimeve.
“Për shembull ne kemi pasur një operacion të madh dhe kemi arritur të zbulojmë gjashtë raste vrasjesh sepse kemi mundur të sigurojmë një bashkëpunëtor të drejtësisë“, theksoi Balla.
Duke folur rreth bashkëpunimit mes dy vendeve dhe posaçërisht rreth fushës së bashkëpunimit policor, Balla tha: “Këtë vit kemi pasur rreth 600 mijë turistë italianë. Mendoj që vitin e ardhshëm numri do të jetë në rritje. Gjëja më e bukur ishte fakti që së bashku me policët tanë ishin edhe përfaqësues të policisë së shtetit italian për sigurinë e pushuesve në zonat turistike në Durrës, Vlorë dhe Sarandë.”
Ministri Balla ndodhet në Palermo për të marrë pjesë në Ministerialin mbi 20-vjetorin e Konventës së Palermos i organizuar nga Qeveria Italiane për të diskutuar mbi bashkëpunimin midis shteteve në luftën kundër aktiviteteve kriminale.