Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Albana Koçiu zhvilloi një vizitë në Spitalin Universitar “Shefqet Ndroqi”, ku u takua me ekipin e mjekëve të kardiologjisë, kardiokirurgjisë, Hematologjisë dhe Imazherisë.
Këtij spitali të pajisur me aparaturat dhe mjetet më të fundit të teknologjisë, i është shtuar edhe skaneri që kryen një gamë të gjerë diagnostikimesh, por që shërben edhe për ekzaminimin e dedikuar të arterieve koronare.
Në fjalën e saj në bashkëbisedim me stafin znj. Koçiu theksoi se në Qendrën Spitalore “Nënë Tereza” dhe Spitalin “Shefqet Ndoqi” në Tiranë, në Spitalin Memorial të Fierit dhe Spitalin Rajonal të Shkodrës, në vetëm tetë muajt e parë të këtij viti janë kryer mbi 6 mijë koronografi, të mbuluara 100% nga ana e shtetit. Në të njëjtën periudhë, 1 mijë qytetarë të tjerë kanë përfituar ndërhyrje kirurgjikale jetëshpëtuese, shpesh në luftë me kohën, e rëndom edhe me minutin, për të shpërtuar jetët e qytetarëve të gjendur befas në një urgjencë mjekësore.
Ministrja u shpreh se do të vijojë angazhimin e pandërprerë për të ulur fatalitetet dhe për të zgjatur jetëgjatësinë duke përmirësuar kështu cilësinë e jetës për të gjithë qytetarët që vuajnë nga sëmundjet e sistemit kardiovaskular. Investimi në parandalimin dhe kurimin e problemeve kardiake është investimi më i vyer me përfitimin të madh për shoqërinë.
Më tej ajo theksoi se në listën e barnave të rimbursueshëm përfshihen 345 alternativa barnash që trajtojnë sëmundjet kardiovaskulare.
Me rastin e Ditës Botërore të Zemrës, Ministrja Koçiu bëri një apel për qytetarët, duke kërkuar që të mos nënvlerësojnë asnjë simptomë, asnjë shtrëngim në kraharor, asgjë jashtë të zakonshmes, pasi jeta e qytetarit është gjëja më e çmuar.