Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, kujton se sot janë mbushur 60 vjet nga Deklarata për të Drejtat e Fëmijëve e miratuar nga Asambleja e Përgjithshme e OKB-së dhe 30 vjet nga Koventa për të Drejtat e Fëmijëve.
“Neni 6, pika 2, i kësaj të fundit, thotë: “Shtetet Palë, marrin të gjitha masat e mundshme për të siguruar mbijetesën dhe zhvillimin e fëmijës”. Këtë detyrim duhet ta respektojë edhe Kosova. Fëmijës i duhet strehimi, kujdesi nga familja, shteti dhe komuniteti. Asnjë fëmijë nuk e meriton të mbetet pa kulm mbi kokë, e pa arsimim cilësor. Shteti duhet t’ia garantoj zhvillimin, mirëqenien dhe edukimin”, shkruan Kurti.
Kurti thotë se as 5% e fëmijëve të moshës nën 5 vjeç në Kosovë nuk janë të përfshirë në edukimin parashkollor.
“Edukimi i fëmijëve është e drejtë Kushtetuese. Çerdhet nuk janë luks por nevojë. Ato janë e drejtë e garantuar për të gjithë fëmijët, pa dallim gjinie, etnie, prejardhjeje apo besimi fetar. Prioritet i qeverisjes së re do të jetë edukimi i hershëm. Sa më shumë ngritje të cilësisë nëpër çerdhe e shkolla aq më pak fëmijë në rrugët e qytetit që punojnë për mbijetesë ose kërkojnë lëmoshë. Kemi aq shumë papunësi në Kosovë ndërkaq çdo i dhjeti fëmijë punon!”, shkruan tutje Kurti.
“Sot, më 20 nëntor, në Ditën Ndërkombëtare të Fëmijëve, dhe në çdo ditë tjetër që vjen, le të angazhohemi të gjithë së bashku që vizioni i shtetit tonë demokratik e social, të drejtë e zhvillimor, të realizohet nën buzëqeshjen e të gjithë fëmijëve të Kosovës”, përfundon Kurti.