Greqia voton këtë të diel për të zgjedhur përfaqësuesit e pushtetit lokal. Kryeministri Mitsotakis kërkon të fitojë ‘bastin’ në 13 periferi të mëdha.
Kandidaturat nga komuniteti shqiptar llogariten me qindra, gjithsesi nuk ka asnjë akoma për kryebashkiak apo kryetar komune.
Në këto zgjedhje me të drejtë vote janë 9.7 milion grekë. 22 mijë Qendra Votimi janë hapur sot në orën 07:00 në Greqi. Janë 1222 formacione lokale që pretendojnë këshillat e 332 bashkive të vendit, ndërsa 78 të tjera luftojnë për 13 qarqet e Greqisë, 12 prej të cilave mbahen nga konservatorët në fuqi, të cilët shpresojnë të fitojnë edhe qarkun e Kretës.
Qeveria Mitsotaki është në garë për të fituar bastin e fitores në 13 periferitë e mëdha të vendit, shanset të larta akoma edhe pas zjarreve të verës dhe katastrofës që shkaktoi furtuna Daniel.
Lufta më e fortë politike zhvillohet në zonën e Thessalisë, një zonë problematike e cila shënoi ngjarjen e përmbytjes dy herë brenda muajit. Pjesëmarrjen në zgjedhjet lokale kanë deklaruar 151.766 kandidatë, ose gati 2% të shtetasve grekë që jetojnë në vend. Prej tyre 63.906 janë kandidatë për këshilltarë bashkiakë, 7.395 për këshilltarë qarku dhe 80.465 për këshilltarë komunalë. Fituesit marrin mandatin e tyre 5 vjeçar në 1 janar 2024.