Klaus Gjasula është kthyer në një element shumë të rëndësishëm për trajnerin Silvinjo. Edhe pse nuk ka luajtur titullar në ndeshjet e fundit të kuqezinjve por e ka nisur nga stoli, trajneri Silvinjo e ka vlerësuar shpeshherë si një nga elementët e rëndësishëm të skuadrës, një lojtar kyç kur i duhet më shumë prani fizike në fushë.
Për fat të keq, trajneri mund të mos e ketë në dispozicion mesfushorin shtatlartë në ndeshjen kundër Çeklsë, për shkak të problemeve shëndetësore të lojtarit i cili nuk i është bashkuar ende Kombëtare shqiptare në grumbullimin e saj, edhe pse nuk luajti këtë fundjavë me Darmshtad në Bundesligë.
“Sa i përket Klaus Gjasulës, djaloshi kuqezi vuan nga infeksioni në grykë dhe do t’i nënshtrohet kontrolleve mjekësore pranë klubit gjerman sonte dhe nesër në mëngjes. Pritet një përgjigje nga klubi i Darmstad nesër nëse Gjasula do t’i bashkohet kuqezinjve në këto ndeshje apo do t’i mungojë skuadrës”, theksoi FSHF në një njoftim për mediat, duke lënë të kuptohet se futbollisti rrezikon seriozisht të mos jetë i pranishëm në duelin e të enjtes, që mund të jetë përcaktues për kualifikimin në EURO 2024.