Izraeli ka bërë me dije se forcat ajrore të saj kanë goditur 200 objektiva të Hamasit dhe grupeve të tjera militante në Gaza, gjatë natës.
Duke shkruar në mediat sociale, IAF tha se dhjetëra avionë luftarakë nisën sulme në zonat Rimal dhe Khan Yunis, duke shkatërruar objektiva, duke përfshirë qendrat komanduese dhe kontrolluese, një vend ruajtjeje armësh që ata thonë se ishte brenda një xhamie dhe shtëpinë e një komandanti të supozuar të Hamasit.
Ndërkohë Shtëpia e Bardhë ka deklaruar se nuk do të dërgojë trupa amerikanë në Izrael. Deklarata është bërë nga zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë, Xhon Kirbi (John Kirby).
Ky i fundit tha se qeveria amerikane nuk ka ndërmend të dërgojë trupa në Izrael, por do të mbrojë interesat e SHBA në rajon.
Ai deklaroi se priten më shumë kërkesa sigurie nga Izraeli, të cilat SHBA do të përpiqet t’i përmbushë sa më shpejt që të jetë e mundur.
Kirby thotë gjithashtu se nuk ka dyshim se ka një shkallë bashkëpunimi nga Irani në mbështetjen e Hamasit, por SHBA nuk ka parë prova të forta dhe të prekshme që Irani ishte i përfshirë drejtpërdrejt.