Kombëtarja shqiptare e futbollit nuk shkon në formë maksimale në sfidën me Çekinë. Sikur të mos mjaftonin mungesat e disa lojtarëve për shkak dëmtimesh, edhe futbollistët e grumbulluar kanë shfaqur probleme dhe kanë vënë në dyshim planet e trajnerit Silvinjo.
Në stërvitjen e sotme të pasdites, ka rënë në sy mungesa e një emri që në fakt pritej shumë nga tifozeria kuqezi, Armando Brojës. Sulmuesi ka ndjerë shqetësime në gjurin e operuar dhe është preferuar që të mos rrezikohet, duke e lënë pushim në seancën e sotme.
Ai do të vlerësohet në ditën e nesërme nga stafi për të kuptuar nëse do të jetë apo jo në gatishmëri për duelin ndaj Çekisë.
Në stërvitjen e sotme kanë munguar edhe Keidi Bare me Klaus Gjasulën. I pari vazhdon të ketë probleme fizike dhe po ashtu është lënë pushim sot për t’u rivlerësuar nesër se në çfarë gjendje është dhe nëse mund të luajë.
I dyti, mbërrin sot në Shqipëri pasi ka kaluar situatën me infeksionin në grykë, por nuk do të mund të stërvitet me ekipin, duke marrë pjesë vetëm në seancën e fundit me pjesën tjetër të lojtarëve.