Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu vizitoi sot ushtarët izraelitë të dislokuar jashtë Rripit të Gazës, njoftoi zyra e tij, duke publikuar një video të takimit.
Netanyahu dëgjohet duke pyetur ushtarët: “A jeni gati për fazën tjetër? Faza tjetër po vjen”.
Shikoni videon e vizitës së Netanyahut tek ushtarët izraelitë jashtë Rripit të Gazës:
Hamasi akuzon Izraelin se ka bombarduar autokolonën e civilëve
Në të njëjtën kohë, Hamasi denoncon bombardimin e Izraelit të një kolone civilësh palestinezë që po shkonte drejt jugut. Të paktën 70 persona, kryesisht gra dhe fëmijë, u vranë dhe 200 u plagosën.
“Mos u largo”, thotë Hamasi
Hamasi, nga ana e tij, po u thotë njerëzve të mos largohen sepse rrugët nuk janë të sigurta. Ajo pretendon se dhjetëra njerëz u vranë në sulmet ndaj autobusëve dhe kamionëve që transportonin refugjatë të premten. Reuters nuk ishte në gjendje të verifikonte këtë pretendim. Izraeli thotë se Hamasi po i pengon banorët të largohen sepse dëshiron t’i përdorë ata si mburoja njerëzore, gjë që grupi e mohon.
Në lagjen Tel Al Hawa të qytetit të Gazës, një zonë e mbuluar nga urdhri i evakuimit, aeroplanët luftarakë bombarduan disa shtëpi gjatë natës, sipas banorëve që ikën në spitalin aty pranë Al Kods dhe planifikonin të iknin në jug në mëngjes.
“Ne jetuam një natë terrori. Izraeli na ndëshkoi sepse ne nuk duam të largohemi nga shtëpia jonë. A ka brutalitet më të keq?’ tha në telefon një baba i tre fëmijëve, duke refuzuar të japë emrin e tij nga frika e hakmarrjes. “Unë nuk do të largohem kurrë, preferoj të vdes, por nuk mund të shoh gruan dhe fëmijët e mi të vdesin para syve të mi. Jemi të pafuqishëm”, shtoi ai.
Gjysmëhëna e Kuqe Palestineze tha se ishte urdhëruar që të evakuonte spitalin Al-Quds deri në orën 16:00, por nuk po e bën këtë sepse ka një detyrë humanitare të vazhdojë të ofrojë shërbime për të sëmurët dhe të plagosurit.
Në Khan Younis, në Rripin jugor të Gazës, avionët izraelitë goditën një ndërtesë katërkatëshe gjatë natës dhe fqinjët nxituan për të shpëtuar banorët. “Ata janë të bllokuar në mbeturina dhe deri më tani as ne dhe as shpëtimtarët nuk kemi mundur t’i nxjerrim”, tha një fqinj, Mohammad Sadiq.
Në një video të parë nga Reuters, një gazetar nga Gaza shoqëroi ekuipazhin e një ambulance në kërkim të të mbijetuarve pas një bombardimi gjatë natës. Një shpëtimtar po ecën në një rrugicë kur një shpërthim i madh ndodh para tij. Ekipet e shpëtimit nxitojnë në ambulanca dhe largohen me shpejtësi ndërsa avionët gjëmojnë sipër. Një nga shpëtimtarët e plagosur dëgjohet duke bërtitur: “Sytë e mi, sytë e mi!”
Agoni për izraelitët e rrëmbyer
Nga ana tjetër, familjet e izraelitëve të rrëmbyer janë në ankth për sigurinë e tyre. Avichai Brodetz, një fermer nga Kibbutz Kfar Azza, gruaja dhe tre fëmijët e të cilit mbahen peng në Gaza, ka fushuar jashtë selisë së ushtrisë izraelite për të tërhequr vëmendjen e autoriteteve për të shpëtuar pengjet.
“Gjëja e parë që duhet bërë është të lirohen gratë dhe fëmijët”, u tha ai gazetarëve. “Nuk dua të flas për politikë, nuk dua të jem këtu. I dua miqtë e mi, shtëpinë time dhe kibutin tim. Shpresoj që të kthehemi atje dhe nuk do të më shihni më”, tha ai.
Krahu i armatosur i Hamasit njoftoi se nëntë pengje u vranë gjatë natës nga bombardimet izraelite. Ai kishte kërcënuar më parë se do të vriste një peng për çdo shtëpi të bombarduar pa paralajmërim nga Izraeli.