Një penallti e Thomas Suçek në pjesën e dytë të ndeshjes Çeki-Ishujt Faroe prishi një skenar shumë interesant, ku Shqipëria që sot mund të festonte biletën e saj për në Euro 2024 duke u bërë ekipi i radhës që u bashkohej Gjermanisë, Spanjës, Belgjikës dhe Portugalisë në turneun e vitit të ardhshëm.
Sipas përllogaritjeve të ndeshjeve të mbetura, nëse Çekia nuk fitonte ndaj Ishujve Faroe dhe Polonia me Moldavinë ndaheshin në barazim, kuqezinjtë do të ishin matematikisht mes dy skuadrave të para në grup.
Kjo pasi në ndeshjet e nëntorit, maksimumi vetëm një skuadër mund të bënte më shumë pikë se kuqezinjtë, meqë rivalët kanë përballje me njëri-tjetrin dhe Shqipëria kishte në çdo rast avantazhin ndaj Polonisë dhe Çekisë në ndeshjet direkte falë golavarazhit.
Por ky skenar ka rënë poshtë me fitoren e çekëve dhe tashmë kuqezinjtë do të duhet të presin nëntorin për të festuar kualifikimin, i cili në rastin më të keq të mundshme, është vetëm 1 pikë larg.