Përtej entuziazmit të ditëve të fundit për fitoren e Kombëtares shqiptare ndaj Çekisë, në ambientin kuqezi ka pasur shumë diskutime rreth situatës së Armando Brojës.
Sulmuesi u largua nga grumbullimi për shkak të një shqetësimi një ditë para ndeshjes me Çekinë dhe u kthye menjëherë në Londër, për t’u stërvitur me klubin e Chelsea.
Një situatë që bëri të lindnin shumë pikëpyetje rreth sulmuesit, i cili dukej se kërkonte të riaftësohej në kohë për të luajtur këtë fundjave ndaj Arsenalit. Por me sa duket, dëmtimi që ka pësuar në stërvitjen me kombëtaren shqiptare, nuk do t’ia japë këtë mundësi sepse mungesën e tij në derbi e konfirmoi sot vetë Mauricio Pochettino para mediave.
“Na duhet të vlerësojmë gjendjen e lojtarëve pasi mbaruam vonë stërvitjen. Na duhet të vlerësojmë Axel, Nixo dhe Rice. Broja është jashtë”, tha ai, duke bërë të qartë se sulmuesi shqiptar nuk do të grumbullohej për sfidën në fjalë.
Tani pritet të mësohet se kur do të jetë në gjendje Broja që të kthehet në fushën e lojës, pas këtij dëmtimi që ndali pak progresin që kishte bërë këto javë duke luajtur e duke shënuar me fanellën e bluve londinezë.