Tal dhe Zak nuk e kanë idenë se sa kohë do të vendosen në atë që izraelitët e quajnë “zarfi i Gazës”, zona në jug të Izraelit që u sulmua nga terroristët e Hamasit dy javë më parë.
Mund të jenë javë, mund të jenë muaj, thonë ata.
“Është njësoj për të gjithë. Askush nuk e di”, tha Zak për CNN në një kamp ushtarak jo shumë larg kufirit të Gazës.
Dy ushtarët e rinj shërbejnë në një njësi artilerie të Forcave të Mbrojtjes të Izraelit që u zhvendos në zonë pasi militantët e Hamasit vranë 1,400 njerëz dhe rrëmbyen rreth 200 më 7 tetor.
Njësia e tyre është pjesë e një grumbullimi masiv të trupave izraelite dhe materialit ushtarak në kufirin e Gazës.
Përveç forcës së saj të rregullt, IDF ka thirrur gjithashtu 300 mijë rezervistë të cilët u raportuan në bazat e tyre brenda disa orësh.
Në të gjithë Izraelin, autostradat në afërsi të bazave kryesore janë të mbushura me mijëra e mijëra makina, të braktisura nga rezervistët që nxitojnë të marrin armët.
Një inkursion tokësor i Izraelit në Gaza tani duket i pashmangshëm. Të enjten, ministri izraelit i Mbrojtjes Yoav Gallant u tha trupave të mbledhura pranë kufirit se “ata do ta shikonin së shpejti enklavën nga brenda” duke thënë se Gaza “nuk do të jetë kurrë e njëjtë”.
Por si mund të duket ky operacion mbetet i panjohur. IDF mund të nisë një pushtim në shkallë të plotë ose të kryejë inkursione që synojnë rikuperimin e pengjeve dhe shënjestrimin e operativëve të Hamasit.
Çfarë do të ndodhë më pas është një pyetje edhe më e madhe. Ndërsa udhëheqja izraelite flet për nevojën për të eliminuar Hamasin, plani për të ardhmen e Gazës dhe popullatës së saj prej më shumë se 2 milionë banorësh mbetet i panjohur.
“Ekziston një konsensus se çdo opsion tjetër përveç eliminimit të plotë të Hamasit do të ishte i tmerrshëm, jo vetëm për Izraelin, por për të gjithë zonën, dhe më pas edhe globalisht” tha Harel Chorev, studiues i lartë në studimet e Lindjes së Mesme në Universitetin e Tel Avivit. .
Por Hasan Alhasan, një studiues për Politikat e Lindjes së Mesme në Institutin Ndërkombëtar për Studime Strategjike, thotë se plani për të asgjësuar Hamasin mund të jetë i rrezikshëm dhe i ndërlikuar – dhe mund të ketë pasoja të paparashikuara.
“Për shkak se Hamasi është i rrënjosur thellë dhe i ngulitur në Gaza, në shoqërinë dhe gjeografinë e saj, për t’i mposhtur ata, Izraelit do t’i duhej të kryente një ndryshim të përhershëm topografik dhe demografik të Rripit të Gazës – dhe kjo tashmë ka ndodhur. Shqetësimi që ekziston, veçanërisht brenda Egjiptit është se strategjia e Izraelit për ta bërë situatën humanitare shumë të vështirë në Gaza, në fund të fundit synon të detyrojë një dëbim masiv të palestinezëve nga Gaza në Sinai egjiptian,” tha Alhasan, duke shtuar se Egjipti ka mbështetjen e të gjithë shteteve arabe dhe nuk do ta lejonte një gjë të tillë.
“Jordanezët janë gjithashtu të shqetësuar se nëse shohim një dëbim masiv të palestinezëve nga Gaza, kjo do të krijonte një precedent dhe se qeveria e djathtë e Izraelit do të përpiqej të zgjidhte çështjen palestineze një herë e mirë duke i dëbuar ata masivisht nga Gaza në Egjipti dhe nga Bregu Perëndimor në Jordani”, shtoi ai.