Agjencia e OKB-së për fëmijë, UNICEF ka bërë të ditur se do të dërgojë furnizime të mjaftueshme me ujë për 22 mijë njerëz për një ditë përmes kalimit Rafah në Gaza.
“Mbi 44,000 shishe me ujë të pijshëm të furnizuara nga UNICEF – mjaftueshëm për 22,000 njerëz për 1 ditë – u kaluan përmes Kalimit Rafah sot si pjesë e një kolone prej 20 kamionësh me Gjysmëhënën e Kuqe Egjiptiane, Organizatën Botërore të Shëndetësisë dhe Programin Botëror të Ushqimit ”, thuhet në deklaratën e UNICEF-it.
Sipas Drejtoreshës Ekzekutive të UNICEF-it, Katerinë Rasëll (Catherine Russell), shpërndarja e ujit është një “çështje e jetës dhe vdekjes” për 1 milion fëmijë në Gaza që “përballen me krizën e madhe humanitare”.
“Ky ujë i parë do të shpëtojë jetë, por nevojat janë të menjëhershme dhe të mëdha – jo vetëm për ujë, por për ushqim, karburant, ilaçe dhe mallra dhe shërbime thelbësore. Nëse nuk mund të ofrojmë furnizime humanitare vazhdimisht, ne përballemi me kërcënimin e vërtetë të shpërthimeve të sëmundjeve kërcënuese për jetën”, shtoi Russell.
Konflikti gati dy-javor ka shkaktuar dëme të rënda në sistemet e ujit dhe kanalizimeve të Gazës me kapacitetin e prodhimit të ujit aktualisht në 5% të niveleve normale, bën të ditur UNICEF.
“Afro 2.3 milionë banorë në Gaza tani po mbijetojnë me 3 litra ujë për person në ditë”, shtoi UNICEF.
Agjencia lëshoi një thirrje urgjente që të hapen të gjitha pikat e hyrjes në Gaza për të lejuar shpërndarjen më të gjerë të ndihmave humanitare së bashku me lëvizjen e punonjësve të ndihmës dhe rasteve urgjente mjekësore në Gaza që kërkojnë kujdes mjekësor kritik.
“Fëmijët në veçanti duhet të mbrohen pa kushte” tha Rasëll, duke theksuar edhe një herë nevojën që agjencitë humanitare si UNICEF të jenë në gjendje të ofrojnë ndihmë të sigurt për fëmijët dhe familjet në Gaza që janë në nevojë të dëshpëruar.
Ndihma humanitare kishte ngecur në Egjipt për ditë të tëra me Gazën të zhytur në një krizë të përkeqësuar si pasojë e luftës mes Izraelit dhe Palestinës.