Aktiviteti në Akademinë për Sigurinë dhe Mbrojtjen, më e madhja në Izrael, ka arritur kulmin. 6 ditë në javë, civilë nga vendbanimet hebraike në Bregun Perëndimor dhe nga i gjithë vendi vijnë për t’u stërvitur në një poligon qitjeje.
Që prej sulmit të 7 tetorit, pjesëmarrja e civilëve nuk ka qenë kurrë më e lartë. Shumë prej tyre nuk kanë përdorur një armë më parë.
“Është hera e parë që vij këtu. Kam dashur të vij prej kohësh sepse jetoj në pyll dhe jam e rrethuar nga fshatra me arabë. Im shoq u thirr në ushtri dhe unë jam vetëm në shtëpi me fëmijët. Kjo është më e pakta që mund të bëjmë. Nëse ndodh diçka, ne do të mund të ndihmojmë të paktën veten dhe fëmijët”, tha Leah, banore e qytetit Gush Etzion.
Trajnimi është i gjatë dhe plumbat e qëlluar janë të shumtë. Për këtë mjafton të shohësh numrin e gëzhojave të mbledhura pas seancës.
Dyqanit të armëve në qendër po i mbarojnë rezervat, pasi kërkesat e civilëve po rriten ndjeshëm. Mbi 10 mijë kërkesa të reja për leje për armëmbajtje u regjistruan që nga fillimi i luftës.
Trupa e Euronews u drejtua për në Beitar Illit, një nga vendbanimet më të mëdha hebraike të zonës, me 70 mijë banorë.
Gjithashtu, popullsia e tij është e para që u armatos pas vendimit të fundit të ministrit për Sigurinë Kombëtare, Ben Gvir, për të pajisur me 10 mijë armë banorët izraelitë në Bregun Perëndimor dhe për të lehtësuar procedurat për dhënien e lejeve për armëmbajtje.
Edhe bashkia po organizon programe vetëmbrojtjeje për qytetarët. Grupet civile të sigurisë po organizohen dhe trajnohen. Roni, një ish-ushtarak, është mes instruktorëve.
“Bleva vetë një armë dy javë më parë, pas asaj që ndodhi në Jug. Njësoj si unë, shumë njerëz të tjerë e kuptuan se do të vijë një moment kur nuk do të jetë askush për t’i ndihmuar, as policia, as ushtria. Njerëzit po e kuptojnë se duhet të luftojnë për veten”, deklaron Roni, instruktor vetëmbrojtjeje.
Ndwrkohw gazetarja e Euronews Lyon Valerie Gauriat, deklaroi nga Izraeli: “Po qëndroj përpara një kampi refugjatësh palestinez në një territor të pushtuar pranë vendbanimeve izraelite. Për momentin, situata duket e qetë. Por njerëzit këtu, qofshin izraelitë apo palestinezë, druhen se gjithçka mund të dalë shumë shpejt nga kontrolli…”.