Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani, ka marrë pjesë në takimin e Këshillit të Sigurimit për situatën në Lindjen e Mesme, ku dhe dënoi sulmet ndaj Izraelit duke u bërë thirrje palëve për përmbajtje ndaj veprimeve të paprovokuara.
Ndërsa u ndal tek çështja humanitare në Gaza, Ministri Hasani deklaroi se situata mbetet dramatike, teksa nënvizoi rëndësinë për rrjedhjen normale të ndihmës humanitare për civilët.
“Ne dënojmë sulmin në spitalin Al-Ahli, që ndodhi të martën e kaluar dhe bëjmë thirrje për hetim të plotë të atyre që janë përgjegjës për një akt të tillë. Ne mirëpresim marrëveshjet e bëra deri më tani për kalimin e autokolonave humanitare në Gaza, me ujë, ushqim dhe furnizime mjekësore.
Megjithëse nevojiten shumë më tepër për të plotësuar nevojat, përpjekjet duhet të vazhdojnë dhe diplomacia duhet të mbizotërojë gjithmonë. Ne përgëzojmë Egjiptin, Shteteve të Bashkuara, Izraelin dhe Sekretarin e Përgjithshëm, për përpjekjet në këtë drejtim. Ndihma humanitare për civilët duhet të vazhdojë pa pengesa për të gjithë ata që kanë nevojë, duhet të sigurohet karburanti dhe rivendosja e energjisë elektrike. Rrjedha normale dhe e papenguar e ndihmës humanitare duhet të garantohet nëpërmjet pauzave humanitare”, u shpreh Ministri.
Hasani u shpreh kundra retorikave provokuese, të cilat sipas tij thellojnë konfliktin dhe rrisin tensionin në të gjithë Lindjen e Mesme.
“E fundit, por aspak, më pak e rëndësishmja, duhet bërë gjithçka për të shmangur një përhapje të konfliktit që do të tensiononte të gjithë Lindjen e Mesme. Ne dënojmë sulmet e Hezbollahut mbi Izraelin dhe i bëjmë thirrje që të përmbahen nga veprimet e paprovokuara si dhe të respektojnë plotësisht Rezolutën 1706 të KS të OKB-së. Retorika provokuese, kërcënuese dhe nxitëse, nuk ndihmon. Është koha për të vepruar me pjekuri, të përcjellim mesazhe kujdesi dhe përgjegjësie”, tha ai.
Sa i përket qytetarëve të marrë peng nga Hamasi, Hasani u shpreh se “ne mirëpresim lirimin e pengjeve dhe çdo përpjekje në këtë drejtim meriton të vlerësohet. Në radhë të parë, civilët nuk duhet të ishin rrëmbyer asnjëherë dhe të gjithë duhet të lirohen pa kushte”.
Fjala e plotë
Faleminderit Ministër Vieira për ftesën dhe organizimin e këtij takimi të nivelit të lartë.
Faleminderit, Sekretar i Përgjithshëm, për përshkrimin e ftohtë të situatës në terren.
Ngjarjet e tmerrshme të 7 tetorit, përbëjnë sulmin më vdekjeprurës në historinë e Izraelit.
Shqipëria mbështet Izraelin – si çdo komb tjetër të sulmuar – në të drejtën e tij legjitime për vetëmbrojtje, në përputhje me të drejtën ndërkombëtare humanitare. Në momente të tilla kaq të vështira dhe përcaktuese, Izraeli dhe populli i tij kanë nevojë për mbështetjen e komunitetit të kombeve të lira, për t’iu përgjigjur terroristëve që kanë kryer krime të tmerrshme dhe vazhdojnë të vënë në pikëpyetje të drejtën e këtij shteti për të ekzistuar.
Ne besojmë plotësisht se ekziston një mënyrë për të garantuar sigurinë e Izraelit dhe mbrojtjen e civilëve të pafajshëm. Jetët e pafajshme janë njësoj të rëndësishme, qofshin ato izraelite apo palestineze. Është kjo arsyeja pse duhet marrë çdo masë paraprake për të mos dëmtuar ata që nuk e meritojnë, ata të cilëve jeta u është vënë në rrezik nga Hamasi dhe terroristët apo ekstremistët e tjerë.
Hamasi dhe udhëheqësit e tij të cilët jetojnë një jetë komode jashtë Gazës dhe mbështetësit e tyre, e dinin shumë mirë se çfarë po bënin kur lëshuan ‘arsenalin’ e tyre për të vrarë, djegur, masakruar dhe rrëmbyer këdo që mundnin. Ata shpresuan se do të shkaktonin një përgjigje masive nga Izraeli, duke e ditur shumë mirë se civilët do të ishin viktima.
Shpresa dhe një fitore e tyre eventuale, fitorja e tyre do të ishte që bota të kthehej kundër Izraelit.
Ne nuk duhet të mashtrohemi. Ka vetëm një palë që po gëzon me çka po ndodh. Është vendi i njohur si sponsorizues i terrorizmit, në Gaza, në Bregun Perëndimor, në Jemen, në Liban, në Siri, kudo që të munden. Është vendi që njihet botërisht dhe vazhdon të destabilizojë të gjithë Lindjen e Mesme.
Zoti President,
Shqipëria dënon çdo legjitimim dhe glorifikim të sulmeve terroriste.
Është e qartë si kristali, se qëllimi i Hamasit nuk është të mbrojë palestinezët. Veprimet e tyre nuk i përfaqësojnë ata. Prandaj, ka ardhur koha që të gjithë palestinezët të kuptojnë se e drejta e tyre për vetëvendosje, ëndrra e tyre për shtetësi, aspiratat e tyre për një jetë më të mirë, në siguri dhe dinjitet, nuk do të realizohen kurrë me Hamasin dhe të ngjashmit e tij. Palestinezët duhet të jenë të parët që kundërshtojnë aktet e tmerrit, të jenë kundër të papranueshmes dhe të pajustifikueshmes.
Hamasi po ua mohon atyre të tashmen; po u vjedh të ardhmen e tyre.
Zoti President,
Zhvillimet në Lindjen e Mesme kanë pasur gjithmonë jehonë në mbarë botën. Ato çlirojnë emocione të forta.
Ne jemi të shqetësuar nga një rritje e frikshme e ndjenjave antisemite, të nxitura nga urrejtja, keqinformimi dhe keqinterpretimi në nivele shumë të rrezikshme, veçanërisht përmes mediave sociale. Antisemitizmi nuk është zhdukur kurrë, por ajo që shohim sot është thjesht e papranueshme. Ne nuk duhet të qëndrojmë indiferentë përballë thirrjeve dhe sjelljeve që vijnë nga narrativa naziste. Ne nuk duhet të lejojmë që struktura e shoqërive tona të copëtohet nga keqinterpretimet, nga gjuha e urrejtjes, nga diskriminimi dhe nga ringjallja e sjelljeve çnjerëzore që kanë prodhuar një ndër momentet më të errëta të historisë njerëzore.
Kemi thënë “kurrë më”, por duhet të ruajmë vigjilencën, të reagojmë, të luftojmë për të, kundër të gjithë atyre që ndezin flakët e përçarjes dhe diskriminimit.
Të nderuar anëtarë të Këshillit të Sigurimit,
Siç kemi dëgjuar, situata humanitare në Gaza është dramatike.
Ne dënojmë sulmin në spitalin Al-Ahli, që ndodhi të martën e kaluar dhe bëjmë thirrje për hetim të plotë të atyre që janë përgjegjës për një akt të tillë. Ne mirëpresim marrëveshjet e bëra deri më tani për kalimin e autokolonave humanitare në Gaza, me ujë, ushqim dhe furnizime mjekësore. Megjithëse nevojiten shumë më tepër për të plotësuar nevojat, përpjekjet duhet të vazhdojnë dhe diplomacia duhet të mbizotërojë gjithmonë. Ne përgëzojmë Egjiptin, Shteteve të Bashkuara, Izraelin dhe Sekretarin e Përgjithshëm, për përpjekjet në këtë drejtim. Ndihma humanitare për civilët duhet të vazhdojë pa pengesa për të gjithë ata që kanë nevojë, duhet të sigurohet karburanti dhe rivendosja e energjisë elektrike. Rrjedha normale dhe e papenguar e ndihmës humanitare duhet të garantohet nëpërmjet pauzave humanitare.
Ne mirëpresim lirimin e pengjeve dhe çdo përpjekje në këtë drejtim meriton të vlerësohet. Në radhë të parë, civilët nuk duhet të ishin rrëmbyer asnjëherë dhe të gjithë duhet të lirohen pa kushte.
E fundit, por aspak, më pak e rëndësishmja, duhet bërë gjithçka për të shmangur një përhapje të konfliktit që do të tensiononte të gjithë Lindjen e Mesme. Ne dënojmë sulmet e Hezbollahut mbi Izraelin dhe i bëjmë thirrje që të përmbahen nga veprimet e paprovokuara si dhe të respektojnë plotësisht Rezolutën 1706 të KS të OKB-së.
Retorika provokuese, kërcënuese dhe nxitëse, nuk ndihmon. Është koha për të vepruar me pjekuri, të përcjellim mesazhe kujdesi dhe përgjegjësie.
Izraeli ka nevojë për siguri dhe meriton siguri; Palestinezët kanë nevojë dhe e meritojnë shtetin e tyre.
Çështja e Palestinës nuk duhet të vazhdojë të mbetet një punë e papërfunduar, që helmon diskursin ndërkombëtare dhe që shërben si një pretekst i rremë për ekstremistët dhe terroristët që e përdorin atë për qëllime dhe përfitime të tjera.
Është urgjente rikthimi i një perspektivë për të ardhmen. Shqipëria rithekson mbështetjen e saj për të dy popujt, për të dy shtetet; për një Palestinë demokratike dhe të qëndrueshme dhe një Izrael të sigurt duke jetuar krah për krah në paqe dhe siguri dhe në njohje të plotë, të ndërsjellë, me popujt e tyre që gëzojnë njësoj të drejta dhe dinjitet.
Në përfundim, dua të shpreh mbështetjen e Shqipërisë për projekt-rezolutën të SHBA-ve, që trajton të gjitha çështjet përkatëse thelbësore, për të cilat shpresojmë që Këshilli i Sigurimit të përcjellë një qëndrim të unifikuar.
Ju faleminderit.