Ish-Presidenti Donald Trump, tashmë edhe kandidati kryesues republikan për zgjedhjet e vitit 2024, u paraqit vullnetarisht në gjykatë për këtë dëshmi që pritej me shumë interes
Pesë vite pasi iu kundërvu publikisht ish-Presidentit Donald Trump, ish-avokati i tij Michael Cohen u përball të martën me të në gjyqin për padinë civile që rrezikon të trondisë perandorinë e tij të pronave të patundshme.
Zoti Cohen nuk shikoi në drejtimin e ish-Presidentit Trump kur kaloi pranë tij për të dëshmuar si një dëshmitar kyç kundër ish-shefit të tij.
Ish-Presidenti Donald Trump, tashmë edhe kandidati kryesues republikan për zgjedhjet e vitit 2024, u paraqit vullnetarisht në gjykatë për këtë dëshmi që pritej me shumë interes. Ai ka ndjekur tashmë gjashtë ditë seancash gjyqësore në Manhatan. Zoti Cohen, paraqitja e së cilit në gjykatë u shty javën e kaluar për shkak të një situate shëndetësore, ka thënë se është hera e parë që e shikon zotin Trump prej pesë vitesh.
“Nuk është Donald Trump kundër Michael Cohen, apo Michael Cohen kundër Donald Trump”, tha zoti Cohen kur mbërriti tek gjykata. “Kjo ka të bëjë me llogaridhënien, thjesht dhe qartë”.
Ndërsa shkonte drejt gjykatës, ish-Presidenti Trump vuri në dukje se zoti Cohen bëri burg pasi pranoi fajësinë për evazion fiskal, për mashtrim të Kongresit dhe për shkelje të rregullave të financimit të fushatave elektorale.
“Ai është provuar se është gënjeshtar”, tha zoti Trump, i cili pritet të dëshmojë më vonë në këtë proces gjyqësor.
Pasi u ul në bankën e dëshmitarëve, zoti Cohen filloi t’u përgjigjej pyetjeve për karrierën e tij dhe për dënimet penale që ka marrë. Herë pas here, ish-Presidenti Trump komunikonte me pëshpëritje me avokatët e tij dhe në momente të caktuara ndiqte me vëmendje të lartë.
Procesi gjyqësor u çel nga padia e prokurores së Nju Jorkut, Letitia James, ku akuzohet zoti Trump dhe drejtues të tjerë të kompanisë së tij, “Organizata Trump”, për konspiracionin për të fryrë me miliarda dollarë vlerën e tij në deklaratat financiare, që u paraqiteshin bankave, firmave të siguracioneve dhe të tjerëve për të arritur marrëveshje biznesi apo për të përfituar kredi bankare.
Gjykatësi Arthur Engoron ka vendosur tashmë se zoti Trump dhe kompania e tij kanë mashtruar, por procesi gjyqësor vazhdon me akuzat për konspiracion, mashtrim të siguracioneve dhe falsifikimin e të dhënave të biznesit.
Ish-Presidenti Trump mohon të ketë bërë ndonjë shkelje. Ai thotë se madje vlera e pasurive të tij ishte e nënvlerësuar, dhe ai thotë se deklaratat e tij financiare kanë një shënim ku u thuhet marrësve t’i kontrollojnë vetë shifrat e paraqitura.
Ai e ka sulmuar procesin duke e quajtur “një mashtrim” dhe “një vazhdimësi të gjuetisë më të madhe të shtrigave të të gjitha kohërave”. Ish-presidenti thotë se kjo çështje gjyqësore është pjesë e përpjekjeve të prokurores James dhe demokratëve të tjerë për të dëmtuar fushatën e tij elektorale.
Zoti Cohen shërbeu për një dekadë si avokati besnik personal i zotit Trump, përpara se të shkëputej publikisht prej tij në vitin 2018, ndërsa zhvillohej një hetim federal që e futi zotin Cohen në një burg federal. Ai është gjithashtu dëshmitar kryesor i prokurorisë në një tjetër çështje gjyqësore në Manhatan për pagesat për të fituar heshtjen e të tjerëve, çështje për të cilën pritet të fillojnë seancat pranverën e ardhshme.
Prokurorja James është shprehur se zoti Cohen shërbeu si forca shtytëse për hetimin e saj civil, që solli padinë për mashtrim për të cilën po zhvillohet procesi gjyqësor. Ajo citoi dëshminë e zotit Cohen në Kongres në vitin 2019, se zoti Trump ka një historik të paraqitjes së vlerave të pavërteta të pasurive të tij, me qëllim përfitimin e kredive me kushte favorizuese dhe zbritje nga taksat./ VOA