Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe njëherazi edhe zv.kryeministrja, Belinda Balluku ndodhet në një vizitë pune në Itali. Në një postim në Facebook, Balluku shkruan se ka zhvilluar një takim me drejtuesen e Operatorit të Sistemit të Transmetimit italian, Terna, ku diskutuan në lidhje me mundësitë e projektit të interkonjeksionit Shqipëri – Itali.
Sipas Ballukut, ajo shprehu mendimin për fillimin e punës në të dy vendet, për hartimin e projektit të fizibilitetit teknik dhe ekonomik.
Ky projekt, për zv.kryeministren, do të krijonte një korridor të ri të gjelbër energjetik, si dhe do të kontribuonte edhe në ndërlidhjen dhe sigurinë energjetike të rajonit.
“Romë, takim me Giuseppina Di Foggia, drejtuese e Operatorit të Sistemit të Transmetimit italian, Terna. Diskutuam mbi mundësitë e projektit të interkonjeksionit Shqipëri – Itali, duke shprehur mendimin e përbashkët që skuadrat e të dyja vendeve të nisin punën e përbashkët për hartimin e projektit të fizibilitetit teknik dhe ekonomik. Realizimi i një interkonjeksioni Shqipëri-Itali do të krijonte një korridor të ri të gjelbër energjetik duke kontribuar gjithashtu edhe në ndërlidhjen dhe sigurinë energjetike të rajonit. Takimi vjen në vijim të Takimit të Komitetit të Përbashkët Ekonomik Shqipëri – Itali, mbajtur më 27 shtator të këtij viti”, shkruan Balluku.
Ky projekt parashikon shtrirjen në thellësi të detit Adriatik mes Shqipërisë dhe bregdetit të Puglias, një kabull elektrik për qarkullimin e rrymës elektrike, në mënyrë që të rritej fluksi i rrjeti kombëtar elektrik. Projekti do të shërbejë për të rritur kapacitetet gjeneruese të Shqipërisë dhe ato të transmetimit për plotësimin e nevojave të brendshme.