Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka njoftuar se po punohet intensivisht për të shpëtuar çdo jetë të mundshme në Durrës e Thumanë, ku thotë se ishte pika kritike e tërmeteve.
Ai e ka quajtur moment dramatik, mirëpo ka kërkuar nga qytetarët ta ruajnë qetësinë.
“Goditja e fuqishme e tërmetit ka krijuar pasoja të rënda dhe fatkeqësisht kemi jetë të humbura.Të gjitha strukturat e shtetit janë në këmbë qysh në momentet e para pas goditjes. Punohet intensivisht për të shpëtuar çdo jetë të mundshme në disa pika fatale në Durrës e Thumanë. Është një moment dramatik ku sidoqoftë duhet të ruajmë me çdo kusht qetësinë, të qëndrojmë pranë njëri-tjetrit e ta përballojmë këtë goditje së bashku”, ka shkruar ai në Facebook duke shtuar se do të bëjnë gjithçka që kanë në dorë dhe me miqtë e mëdhenj në krah do ta kalojnë edhe këtë situatë.