Studentët e mjekësisë ndërprenë të hënën pas një muaji bojkotin e vitit akademik, pasi rektori i Universitetit të Mjekësisë ka pranuar kërkesat e tyre të shprehura gjatë protestave dhe ka pezulluar zbatimin e ligjit që i detyron të nënshkruaj kontrata pune deri në vendimmarrjen e Gjykatës Kushtetuese. Studentët kanë paditur ligjin e miratuar në Parlament mbi punën e detyruar në vend pas diplomimit, si shkelje të kushtetutës.
“Sot është zhvilluar një takim midis studentëve të mjekësisë dhe rektoratit, ku studentët kërkuan të mos u paraqitet asnjë kontratë deri në një vendim përfundimtar të Gjykatës Kushtetuese, kërkesë e cila është pranuar nga rektori i Universitetit të Mjekësisë, prof. Arben Gjata”, i tha BIRN Kristi Trako, përfaqësues i studentëve të mjekësisë në Senatin Akademik të UMT-së.
Protestat e studentëve të mjekësisë kanë nisur që prej muajit Qershor kur flitej për mundësinë e një projektligji që do i detyronte ata të punonin në Shqipëri të paktën pesë vite pas diplomimit, projektligj ky i cili më pas u miratua në Parlament më 21 Korrik 2023.
Pas pothuajse një muaji bojkot nga ana e studentëve, rektorati ka rënë dakord edhe për zëvendësimin e këtyre ditëve të humbura mësimi.
“Rektorati ka dhënë garanci se do të përgatitet një plan për zëvendësimin e orëve të humbura, dhe se do të këtë një takim me Ministrinë e Arsimit, por nuk ka akoma një datë të caktuar për këtë të fundit”, është shprehur më tej kryetari i Bordit Kombëtar Studentor Gevio Tabaku për BIRN.
Nga ana tjetër, studentët kanë pranuar t’i rikthehen auditorëve, por gjithmonë duke mbajtur nën vëmendje premtimet e rektoratit.
“Ka një lloj besimi në reagim institucional, por gjithsesi do mbahet nën vëmendje përgjatë gjithë kohës”, i tha BIRN Kristi Trako.
Edhe sipas Gevio Tabakut, nëse këto pika nuk do të respektohen, studentët do i rikthehen bojkotit dhe përshkallëzim të tij.