Kryeministri Rama ka folur për mediat italiane rreth marrëeveshjes së firmosur dy ditë më parë për emigrantët e paligjshëm. Kreu i qeverisë shqiptare deklaron se kjo marrëveshje nuk është bërë që Shqipëria të hyjë në Bashkimin Europian por për të ndihmuar Italinë.
“Nuk e kemi bërë këtë se Italia do na hapë negociatat, është qesharake se ne i kemi hapur negociatat dhe hyrja në Bashkimin Europian nuk ndodh kështu. Nuk është se Italia thotë merrni 3 mijë emigrantë dhe ne ju fusim në BE. Në çfarë bote jetojmë, duhet të jemi më seriozë kur diskutohen këto çështje. Kjo cështje është shumë e komplikuar për mua, nuk gjej ndonjë përgjigje për fluksin e emigrantëve që vijnë nga deti në itali e duan të futen në BE, askush se ka gjetur zgjidhjen, nuk ka asnjë tryezë si ta zgjidhim këtë”, tha Rama.
Në një intervistë për Rai News 24, kreu i qeverisë shqiptare tha se duhet gjendur një vijë e mesme për të trajtuar të gjithë njerëzit si të barabartë.
“Jemi shumë të vegjël për t’i thënë të mëdhejve se çfarë duhet të bëjnë, por ne jemi gati kur Italia na kërkon ndihmë. Italia është një vend i madh, leksione Italisë nuk mund t’ja lejojmë të bëjmë.”
Për një tjetër media italiane, këtë radhë gazetën ”Libero Quotidiano” Rama deklaroi se Shqipëria po e bën këtë marrëveshje jo për të fituar avantazhe por për të ndihmuar Italinë, një vend që dikur i hapi derën shumë shqiptarëve.