Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon, ka deklaruar se është koha që t’i hiqen masat e vendosura ndaj Kosovës si pasojë e krizës në dialogun Kosovë-Serbi.
Eurodeputetja gjermane shprehet se zbatimi i të gjitha marrëveshjeve të kaluara në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë dhe normalizimi i raporteve mes dy vendeve, përfshirë reformat në sundimin e ligjit dhe drejtësinë janë kyçe në rrugën e Kosovës për në BE.
Duke iu referuar raport-progresit për Kosovën, Cramon evideton përparimin në shumë fusha reformuese, përfshirë reformën zgjedhore dhe luftën kundër krimit të organizuar, ajo ka përmendur edhe konfirmimin e Komisionit që shqiptarët e Kosovës, do të udhëtojnë drejt BE-së pa viza që nga janari 2024.
“Raporti për Kosovën thekson progresin në shumë fusha reformuese, përfshirë reformën zgjedhore dhe luftën kundër krimit të organizuar. Komisioni gjithashtu ka konfirmuar se qytetarët e Kosovës do të udhëtojnë lirshëm drejt BE-së që nga 1 janari 2024!”, ka shkruar ajo.