Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka adresuar shqetësimet e tij përkundrejt Beogradit, në Forumin Ekonomik të Vjenës
Marrëveshjen me Serbinë duhen nënshkruar dhe për këtë ai kërkon që të ushtrohet më tepër presion ndaj Beogradit.
“Në Bruksel ne kemi arritur marrëveshjen, ne kemi shtuar aneksin e zbatimit në Ohër, por atëherë Serbia refuzoi të nënshkruajë, dhe kemi pasur sulme kundër ushtarëve të KFOR-it, pastaj rrëmbimin e policëve të Kosovës, dhe sulmin më pas ku u vra rreshteri ynë. Eskalimi ka ndodhur përkundër marrëveshjes, e cila nuk ishte nënshkruar. Serbia është fqinji ynë më i madh, kufiri është rreth 300 kilometër, kjo përben rrezik për sigurinë, duhet më shumë presion ndaj Beogradit për marrëveshje”, tha ai.
Sipas kryeministrit të Kosovës, nënshkrimi i njohjes de-facto është hapi parë dhe më i rëndësishëm. Në fjalimin e tij, kryeministri Kurti gjithashtu deklaroi se ka pasur zhvillim ekonomik dhe se Kosova nuk është vend i madh, por është shembull i mirë.
“Të gjithë ne kemi nevojë për rritje ekonomike. Më duhet të përmendi tri sfidat kryesore që kanë ndodhur, e para kërcënimet e sigurisë, e dyta pabarazia shoqërorë dhe e treta ndryshimet klimatike. Gjatë këtyre viteve sa jam në pushtet, ia kemi dalë të shtojmë çdo vit nga 1 milionë euro ekonomisë tonë. Gjithashtu, inflacioni ka rënë këtë vit, në janar ishte 12%, dhe ka rënë në muajin e kaluar në 3.3%.”, tha kreu i qeverisë së Kosovës.