SHBA ngriti të enjten shqetësimin se Rusia vazhdon të përdorë ndikimin e saj në Ballkanin Perëndimor për të penguar integrimin e rajonit në institucionet dhe organizatat ndërkombëtare. Deklarata u bë nga Brian Nelson, nënsekretari i Thesarit për terrorizmin dhe inteligjencën financiare. Sipas tij, Rusia po përdor edhe juridiksione për të lehtësuar aktivitetet e saj agresive destabilizuese.
Komentet e zyrtarit të lartë amerikan u bënë në momentin që thesari i SHBA-së vendosi të enjten për një raund të ri sanksionesh ndaj firmave dhe anijeve që përdornin ofruesit e shërbimeve amerikane për të transportuar naftë bruto ruse në kundërshtim me kufirin e çmimit shumëkombësh.
Në kuadër të kësaj, SHBA-ja vendosi edhe të tjera sanksione ndaj një grupi personash në Ballkanin Perëndimor, si dhe ndaj firmave të lidhura me ndikimin e Kremlinit në rajon.
Zyra e Thesarit për Kontrollin e Pasurive të Huaja vendosi sanksione ndaj tre firmave me bazë në Emiratet e Bashkuara Arabe, si dhe bllokoi tre anije që përdornin ofruesit e shërbimeve amerikane për të transportuar naftën bruto ruse mbi kufirin prej 60 dollarësh.
Sanksionet bllokojnë aksesin në pronat dhe llogaritë bankare të SHBA-së dhe parandalojnë njerëzit dhe kompanitë që të bëjnë biznes me amerikanët.
SHBA, së bashku me BE-në, vendet në Grupin e Shtatë dhe Australia, vendosën një kufi prej 60 dollarësh për fuçi vitin e kaluar për atë që Rusia mund të ngarkonte për naftën e saj.
Kufiri është krijuar për të privuar Kremlinin nga të ardhurat për të financuar luftën në Ukrainë, duke e detyruar qeverinë ruse ose të shesë naftën e saj me ulje, ose të gjejë një rrjet të kushtueshëm alternativ transporti.
Thesari, në muajin tetor, vendosi grupin e parë të sanksioneve ndaj dy kompanive që transportonin naftën ruse në kundërshtim me kufirin e çmimeve të përcaktuara.
“Ne jemi të përkushtuar të ruajmë stabilitetin e tregut, pavarësisht luftës së Rusisë kundër Ukrainës, duke shkurtuar fitimet që Kremlini po përdorte për të financuar luftën e paligjshme. Mbetemi të palëkundur në ndjekjen e atyre që kërkojnë të lehtësojnë ose të shmangin kufirin e çmimit,” tha Wally Adeyemo, zëvendëssekretari i Thesarit.
Po të enjten u njoftuan edhe një sërë sanksionesh të vendosura ndaj tetë personave dhe gjashtë subjekteve në të gjithë Ballkanin – nga Bosnja në Maqedoninë e Veriut – të akuzuar për korrupsion dhe mundësimin e ndikimit negativ rus në rajon.
Të përfshirë në sanksione janë politikanë boshnjakë, figura kryesore të krimit të organizuar në Mal të Zi, si dhe firma dhe drejtues në Maqedoninë e Veriut, të lidhura me rusë që janë tashmë të sanksionuar. AP