Pacientë, personel mjekësor dhe palestinezë të zhvendosur nisën të largohen nga spitali Al Shifa i Gazës të shtunën mes njoftime kontradiktore se Izraeli u kishte dhënë një orë afat për evakuim.
Mjekët thanë se pacientët në gjendje të rëndë do të vazhdojnë të qëndrojnë aty nën mbikëqyrjen e një numri të vogël personeli mjekësor.
Forcat e Mbrojtjes së Izraelit mohuan të kenë urdhëruar evakuimin e spitalit, më i madhe në Rripin e Gazës.
“Në asnjë moment ushtria nuk ka urdhëruar evakuimin e pacientëve apo ekipeve mjekësore, por në fakt ka propozuar që çdo kërkesë për evakuim mjekësor të lehtësohet nga ushtria”, thuhej në një deklaratë të shtunën të autoriteve izraelite.
Në të shtohej se ushtria kishte biseduar me drejtorin e spitalit për ofrimin e një kalimi të sigurt për njerëzit që donin të largoheshin nga objekti.
Agjencia France-Presse raportoi të shtunën se Izraeli u kishte dhënë autoriteteve spitalore një orë afat për evakuim.
Këtë javë Izraeli tha se forcat e tij kishin gjetur një automjet me një numër të madh armësh si dhe atë që ushtria e quajti hyrja e një tuneli që përdoret nga grupi militant. Izraeli thotë se nën spital ndodhet një qendër komanduese e Hamasit, por grupi militant dhe personeli i spitalit e kanë hedhur poshtë një gjë të tillë.
Ushtria izraelite publikoi një video të premten që tha se tregonte hyrjen e një tuneli në pjesën e jashtme të spitalit.
Sipas Kombeve të Bashkuara mbi 2 mijë pacientë, personel mjekësor dhe palestinezë të zhvendosur ndodheshin në spital të mërkurën kur trupat izraelite u futën në objekt.
Ndërkohë të paktën 32 palestinezë u vranë të shtunën si pasojë e sulmeve ajrore izraelite në pjesën jugore të Gazës bënë të ditur autoritet shëndetësore. Izraeli ka paralajmëruar sërish civilët të largohen ndërsa po vazhdon me sulmet ndaj Hamasit në jug të rajonit, pas marrjes së kontrollit të pjesës veriore të tij.
“Ne po u kërkojmë njerëzve të zhvendosen. E di që nuk është e lehtë për shumë prej tyre, por nuk do të donim që civilët të gjendeshin në mesin e luftimeve“, tha të premten për rrjetin televiziv MSNBC Mark Regev, ndihmës i kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu.
Pas sulmit të përgjakshëm të Hamasit më 7 tetor Izraeli është zotuar të asgjësojë grupin militant, që kontrollon Rripin e Gazës. Gjatë sulmit u vranë 1200 izraelitë dhe u morën peng 240 persona.
Autoritetet shëndetësore të Gazës njoftuan të premten se më shumë se 12 mijë persona janë vrarë si pasojë e sulmeve izraelite mes tyre 5 mijë fëmijë. Kombet e Bashkuara i konsiderojnë shifrat e besueshme, megjithëse ato tashmë përditësohen rrallë për shkak të vështirësive për mbledhjen e informacionit.