Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka regjistruar në datën 28.04.2023 procedimin penal nr.78 të vitit 2023, për veprat penale të “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje”, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, “Prodhimi dhe shitja e narkotikeve”, “Trafikimi i narkotikëve”, “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, “Grupi i strukturuar kriminal”, “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”, të parashikuara nga nenet 80, 278, 283, 283/a, 287, 333/a dhe 334 të Kodit Penal.
Në kuadër të këtij procedimi penal, Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, në bashkëpunim intensiv me Eurojust, Europol dhe agjencitë ligjzbatuese hollandeze, belge, gjermane, braziliane, kolumbiane dhe franceze, ka zhvilluar hetime lidhur me disa shtetas shqiptarë të përfshirë në aktivitete kriminale në Shqipëri, në Amerikën e Jugut si dhe në disa vende të tjera në Evropë. Po ashtu është hetuar dhe lidhur me disa ngjarje kriminale të mëparshme të ndodhura në Shqipëri.