Qeveria e Kosovës vendosi që të shtyjë për herë të dytë regjistrimin e popullsisë. Procesi që duhet të niste më 1 nëntor dhe mbyllej më 15 dhjetor, u shty për vitin e ardhshëm.
Në fund të tetorit Agjencia e Statistikave të Kosovës i kërkoi qeverisë që të shtynte regjistrimin e popullsisë, duke u shprehur se nuk ishte gati që procesi të niste më 1 nëntor.
Ajo listoi disa problematika që e bënin të pamundur nisjen e regjistrimit, nga mungesa e stafit deri tek pajisjet logjistike. Regjistrimi i fundit i popullsisë në Kosovë është bërë në vitin 2011, ndërsa procesi që duhet të zhvillohej në vitin 2021 u shty për shkak të pandemisë së koronavirusit.
Sipas regjistrimit të vitit 2011, numri i përgjithshëm i banorëve në Kosovë, llogaritet të jetë rreth 1.8 milionë banorë. Por, në këtë proces nuk u përfshinë banorët e komunave me shumicë serbe në veri të Kosovës, pasi që në atë kohë ata refuzuan regjistrimin.