Pas sulmit terrorist nga Serbia në Kosovë që ndodhi me 24 shtator në Banjskë, autoritetet e sigurisë në vend dhe ato ndërkombëtare, kanë rritur nivelin e sigurisë. Qeveria rikujton se alarmin për lëvizjet e Serbisë në dëm të paqes, kryeministri Kurti i ka paralajmëruar muaj më parë. Sipas ekspertëve, cenimi i sigurisë po bëhet nga serbët e instrumentalizuar nga Beogradi.
Një sulm terrorist serb sikurse ai i Banjskës më 24 shtator, ka ngritur shqetësimin e organeve vendore e ndërkombëtare të sigurisë. Agresiviteti i Serbisë në destabilizim të Kosovës, por edhe të Ballkanit Perëndimor,vazhdon të jetë në pikën më të lartë.
Ushtria serbe vazhdon të jetë afër vijës kufitare me Kosovën, ndonëse largimin e tyre e kërkoi sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, në takim me presidentin e shtetit fqinj.
Lidhur me këtë, në përgjigje me shkrim për RTK-në, Qeveria e Kosovës deklaron se prania e shtuar e NATO-s në Kosovë, vetëm sa e shton paqen në gjithë rajonin.
“Kryeministri Kurti qysh në fillim të këtij viti kishte kërkuar publikisht rritjen e pranisë së trupave të NATO-s në Kosovë, për hir të sigurisë së kufirit me Serbinë që është gjithsej 381 kilometra i gjatë. Prania e shtuar e NATO-s në Kosovë i kontribuon paqes jo vetëm në vendin tonë, por dhe në Ballkanin Perëndimor”, tha Perparim Kryeziu, zëdhënës i Qeverisë së Kosovë.
Sipas Qeverisë, aftësitë e autoriteteve të sigurisë për t`u ballafaquar me sulme terroriste që do ta minonte situatën e sigurisë në vend, janë nivelin më të lartë. Kryeziu tha se ato janë edhe në koordinim të plotë me KFOR-in dhe EULEX-in.
Siguria Kombëtare në Kosovë, sipas profesorit Agon Maliqi, tenton në vazhdimësi të cenohet nga Serbia përmes instrumentalizimit të grupeve kriminale serbe që jetojnë në Kosovë.
“Kemi pra një komunitet serb i cili ka ditë të nxitë tensione tensione të ndryshme dhe prapë se prapë e kemi të njëjtin problem dhe kemi pa që komuniteti serb ka filluar me ato incidente të zakonshme, djegien e veturave, kërcënimi dhe shantazhimi i personave që janë të angazhuar në institucionet e Kosovës e kështu me radhë..”, tha Agon Maliqi, profesor i Sigurisë Kombëtare.
Pas sulmit të Banjskës, NATO vendosi afro një mijë trupa shtesë e që ky ishte shtimi më i madh i trupave në vitet e fundit në Kosovë.
Sekretari i përgjithshëm i NATO-s tha se Aleanca Veriatlantike po shqyrton vendosjen e përhershme në numër të shtuar të ushtarëve të KFOR-it. RTK