Shefi i Agjencisë Qendrore amerikane të Zbulimit (CIA-s), William Burns si dhe ai i Agjencisë izraelite të Zbulimit (Mossad-it), David Barnea, u takuan të martën në Doha me kryeministrin e Katarit. Takimi kishte si synim hapat e mëtejshëm pas zgjatjes dyditore të afatit të armëpushimit mes Izraelit dhe grupit palestinez Hamas, tha një burim për agjencisë ‘Reuters’.
Po kështu sipas të njëjtit burim, takimi do të shërbejë “për të shënuar përparim të mëtejshëm dhe për të nisur diskutime rreth fazës së ardhshme të një marrëveshjeje të mundshme”.
Rezultati i bisedimeve, ku morën pjesë edhe zyrtarë egjiptianë, mbetet i paqartë, shtoi personi që foli në kushte anonimiteti.
Ndërkohë një zyrtar amerikan, i cili gjithashtu foli në kushte anonimiteti tha se Drejtori i CIA-s William Burns ishte në Doha “për takime lidhur me konfliktin Izrael-Hamas, përfshirë diskutime mbi çështjen e pengjeve”. Zyrtari nuk dha detaje të mëtejshme.
Takimi i shefit të CIA-s William Burns dhe kreut të Mossad-it David Barnea me Kryeministrin e Katarit Sheikh Mohammed Bin Abdulrahman al-Thani vjen një ditë pasi Doha njoftoi zgjatjen edhe me dy ditë të marrëveshjes së armëpushimi në Gazë, e cila ishte parashikuar të skadonte të hënën pas katër ditësh. Katari, vend në të cilin qëndrojnë disa udhëheqës politikë të Hamasit, ka udhëhequr negociatat mes grupit militant palestinez dhe Izraelit.
Armëpushimi ka sjellë pauzën e parë në 7 javë luftime në Rripin e Gazës, gjatë së cilës Izraeli kreu bombardime të ashpra ndaj territorit, si përgjigje ndaj sulmit të dhunshëm më 7 tetor, nga grupi i militantëve të Hamasit. Gjatë sulmit u vranë rreth 1200 izraelitë si dhe u morën peng 240 të tjerë. Izraeli thotë se qëllimi i tij është shkatërrimi i Hamasit, që sundon prej shumë vitesh Gazën. Sipas autoriteteve shëndetësore në këtë rajon, si pasojë e bombardimeve izraelite janë vrarë deri më tani më shumë se 15 mijë persona, rreth 40% e të cilëve, fëmijë.