Connect with us

Bota

Nga këshilltarët te përkthyesit, zbulimi i REL-it: Rusët e lidhur me Kremlinin të punësuar në OSBE

Published

on

Dy ditë para se Rusia të niste pushtimin në shkallë të plotë të Ukrainës në shkurtin e vitit 2022, zëvendësministri i Jashtëm, Andrei Rudenko, iu adresua Dhomës së Ulët të Parlamentit në atë që do të shndërroheshin në hapat e parë të Kremlinit për të aneksuar territorin e rajoneve lindore ukrainase të Donjeckut dhe Luhanskut.

Në adresimin e tij u përfshinë akuzat se Ukraina po “sabotonte” negociatat e mbajtura nga Grupi Trepalësh i Kontaktit, i përbërë nga Rusia, Ukraina dhe Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), trup rajonal i sigurisë me 57 anëtarë që ka selinë në Vjenë dhe që aktualisht e gjen veten në krizë për shkak të vetove ruse para një takimi kyç të Këshillit Ministror më 30 nëntor.

Rudenko kishte njohuri të thella për OSBE-në, udhëheqja e së cilës menjëherë pas dy ditësh dënoi pushtimin rus, dhe jo vetëm sepse ai më herët kishte shërbyer si i dërguar i lartë rus në këtë organizatë.

Në kohën e pushtimit rus dhe negociatave trepalëshe, gruaja e Rudenkos po shërbente si politikane e lartë dhe asistente administrative në zyrën e sekretarit të përgjithshëm të OSBE-së. Ky post i dha asaj qasje në takimet e nivelit të lartë të OSBE-së dhe në informacione, sipas një zyrtari të Bashkimit Evropian.

Bashkëshortja e Rudenkos, e lindur në Kirgizi dhe e quajtur Saltanat Sakembaeva, është një prej disa shtetasve rusë, punësimi i të cilëve në OSBE ka rritur shqetësimet lidhur me qasjen e Kremlinit brenda trupit ekzekutiv të organizatës që ka luajtur rol qendror në monitorimin e agresionit rus në Ukrainë dhe përpjekjeve për të ndërmjetësuar mes Moskës dhe Kievit, gjeti një hulumtim i Radios Evropa e Lirë.

Në këta individë përfshihet edhe diplomati rus i karrierës, Anton Vushkarnik, që ka shërbyer për katër vjet në Ambasadën ruse në Uashington dhe ka raportuar në Kongres, ku i ka dhënë mbështetje përkrahjes së Moskës për diktatorin sirian, Bashar al-Assad.

Emailet që i ka siguruar REL-i tregojnë se Vushkarnik, që aktualisht shërben si këshilltar i lartë strategjik në Sekretariatin e OSBE-së, i dërgoi një punonjësi të Kongresit amerikan një video në YouTube, që i krahasonte politikanët ukrainas me nazistët, si dhe mesazhe që pretendonin se “autoritarizmi homoseksual” po “kërcënon Amerikën”, duke përdorur terme homofobe.

Ndërkaq, një grua që ka shërbyer si përkthyese për presidentin rus, Vladimir Putin, gjatë bisedimeve me presidentin e atëhershëm amerikan, Donald Trump, aktualisht është e punësuar në Zyrën Ndërlidhëse të Vjenës të Asamblesë Parlamentare të OSBE-së.

Ish-përkthyesja Daria Boyarskaya, e mori atë detyrë specifikisht nga Kremlini në mënyrë që të shpërqendronte liderin amerikan, sipas një ish-zyrtareje të Shtëpisë së Bardhë.

Vendosja e figurave të afërta me Qeverinë e Putinit brenda niveleve më të larta të OSBE-së ka nxitur akuza publike dhe private për ndikimin dhe sabotimin e Kremlinit, në atë që supozohet të jetë një organ neutral ndërkombëtar.

Sakembaeva, që u kthye në Rusi pesë muaj pas nisjes së pushtimit rus të Ukrainës në shkurt të vitit 2022, “kishte qasje në një sasi të konsiderueshme të materialeve sekrete, të cilat përmes marrëdhënies së saj martesore ajo mund t’i kalonte lehtësisht te burri i saj [Rudenko]”, tha për REL-in një ish-punonjës në Sekretariatin e OSBE-së.

Për shkak të arsyeve të sigurisë personale, ish-kolegu i Sakembaevas, por edhe diplomatët dhe burimet e tjera që ende janë ose kanë qenë të punësuar në OSBE apo në misionet e përhershme të organizatës, u pajtuan që të flasin për REL-in në kushte anonimiteti.

Zyra e sekretarit të Përgjithshëm të OSBE-së, që udhëhiqet nga Helga Schmid nga Gjermania që nga viti 2020, i tha REL-it se të gjithë zyrtarëve të organizatës “pavarësisht kombësisë së tyre apo llojit të kontratës, u kërkohet të përfaqësojnë vetëm interesat e OSBE-së dhe janë subjekt i Kodit të Sjelljes, që është i qasshëm për publikun”.

“Edhe pse ne nuk mund të diskutojmë për raste individuale, ne u sigurojmë se OSBE-ja merr jashtëzakonisht seriozisht shkeljet e mundshme të Kodit të Sjelljes dhe vazhdimisht kryen procedurat e duhura të brendshme ku adresohen shkeljet e supozuara”, tha zëdhënësi i OSBE-së, David Dadge, përmes një përgjigjeje dërguar me email.

Gruaja e diplomatit

Në qershor të vitit 2022, katër muaj pas nisjes së pushtimit rus të Ukrainës, Saltanat Sakembaeva mori pjesë në një ndejë në Ambasadën ruse në Vjenë për të festuar një festë ruse që nderon shpalljen e sovranitetit rus nga Bashkimi Sovjetik.

Fotografitë nga kjo ngjarje e shfaqin atë së bashku me përfaqësuesin e përhershëm të Rusisë në OSBE, Aleksandr Lukashevich, ish-zëdhënës i Ministrisë së Jashtme, i cili ka mbrojtur në këtë organizatë luftën e agresionit të Rusisë dhe ka akuzuar Uashingtonin dhe aleatët e tij se po tentojnë të “uzurpojnë” funksionet e Sekretariatit të OSBE-së.

Në kohën kur u mbajt kjo ngjarje, Sakembaeva kishte shërbyer si asistente e lartë politike në zyrën e sekretarit të Përgjithshëm të OSBE-së në Vjenë për pothuajse 15 vjet, pasi kishte marrë këtë post në vitin 2009, kur ajo ishte shtetase e Kirgizisë.

Një ish-koleg i Sakembaevas në OSBE e përshkroi atë si “shumë miqësore dhe të shoqërueshme”.

“Të gjithë dëshironin të miqësoheshin me Zyrën e sekretarit të Përgjithshëm në mënyrë që të ngriheshin në detyrë. Ajo, në anën tjetër, po ashtu shoqërohej në mënyrë aktive me njerëz në të gjitha nivelet dhe pozitat. Ajo kishte mundësinë e përkryer për ta përfshirë veten në të gjitha llojet e çështjeve dhe situatave dhe për të mbledhur informacione të të gjitha llojeve”, tha ish-kolegu i saj.

Burri i ardhshëm i Sakembaevas, Rudenko, arriti në kryeqytetin austriak më 2011 për të marrë rolin e zëvendëspërfaqësuesit të përhershëm rus në OSBE. Ai ishte 14 vjet më i madh se ajo. Rudenko dhe Sakembaeva u përputhën dhe në fotografitë në llogarinë e saj në Facebook i shfaqin ata duke darkuar.

Në maj të vitit 2014, pak pasi Rusia pushtoi Krimenë, Sakembaeva bleu një banesë 92 metër katrorë në një ndërtesë të vjetër në një rrugë të qetë në distriktin e tretë të Vjenës, që është shumë afër qendrës së qytetit, sipas dokumenteve të siguruara nga REL-i. Në kohën kur e bleu banesën, ajo kishte shënuar adresën e saj te regjistri austriak i pronave si adresën e Misionit të përhershëm rus në Vjenë.

Në gusht të vitit 2014, Sakembaeva mori shtetësinë ruse dhe një muaj më vonë ajo dhe Rudenko u martuan në Ambasadën ruse në Vjenë, thuhet në dokumentet e tjera të siguruara nga REL-i. Korrikun e ardhshëm, Sakembaeva hoqi dorë nga shtetësia kirgize. Disa njerëz që kanë punuar me Sakembaevan kanë thënë se ajo nuk ka folur për martesën e saj dhe për ndryshimin e shtetësisë.

Para festimeve të 9 majit, Ditës së Fitores në Rusi më 2020, Sakembaeva zbukuroi fotografinë e profilit të saj në Facebook me fjongon e Shën Gjorgjit, që është një emblemë e patriotizmit që mbështetet nga Kremlini, dhe me sloganin “75 vjet fitore” që përkujton mposhtjen e Gjermanisë Naziste.

Që nga agresioni rus kundër Ukrainës më 2014, të dyja simbolet janë politizuar skajshëm për të shprehur besnikërinë ndaj shtetit rus dhe mbështetjen e zjarrtë të pushtimit rus të Ukrainës.

Më 2016, Rudenko u kthye në Rusi për të marrë një sërë postesh të larta në Ministrinë e Jashtme, duke lënë gruan e tij në banesën e tyre në Vjenë. Puna e tij e parë ishte si drejtor i departamentit që ishte përgjegjës për Bjellorusinë, Moldavinë dhe Ukrainën – të gjitha shtete, që atëbotë kishin një fokus të madh për OSBE-në.

“Si përfaqësuese e stafit të OSBE-së, Saltanat ishte një rast shumë i qartë i konfliktit të interesit. Ajo kishte qasje në të gjitha postet kyçe në Sekretariat, përfshirë edhe disa gjenerata të sekretarëve të Përgjithshëm të OSBE-së, kryesimin e OSBE-së dhe në Qendrën për Parandalimin e Konflikteve të OSBE-së”, tha një diplomat evropian në një nga misionet e përhershme të OSBE-së.

Edhe pse tensionet midis Ukrainës dhe Rusisë u përshkallëzuan, Sakembaeva vazhdoi të qëndronte në postin e saj në Sekretariatin e OSBE-së, që dukej se nuk kishte asnjë problem me punësimin e saj.

“Puna e Saltanatit ishte të organizonte takime, të udhëtonte dhe të shtypte deklaratat”, tha për REL-in ish-kolegu i Sakembaevas në OSBE. “Ishte një rol administrativ, por ajo gjithmonë është trajtuar si diçka më shumë… Pasi Rusia vazhdimisht ka bllokuar shumë vendime të rëndësishme, të kesh një person që ka qasje të drejtpërdrejtë te zyrtarët e nivelit të lartë në Ministrinë e Jashtme ruse, nga OSBE-ja mund të jetë parë si avantazh”.

Sipas rregulloreve për stafin e OSBE-së, zyrtarëve u ndalohet të “përdorin, të shpërndajnë dhe/ose të publikojnë informacione, për të cilat ata janë në dijeni për shkak të pozicionit të tyre zyrtar, përveç të informacioneve që lidhen me kryerjen e funksioneve të tyre”.

Ish-kolegu tha se Sakembaeva ka të ngjarë se ka informuar punonjësin e saj për ndryshimin e rrethanave të saj, në të kundërtën, do të ishte shkelje e rregulloreve të OSBE-së, duke shtuar se “pyetja është pse ajo nuk u dërgua në një departament më pak të ndjeshëm?”.

Sakembaeva vazhdoi të punonte në zyrën kryesore të OSBE-së deri në korrik të vitit 2022, apo pesë muaj pasi Rusia nisi pushtimin në shkallë të plotë të Ukrainës.

Andrei Soldatov, gazetar hulumtues rus dhe ekspert për shërbimet e sigurisë së Rusisë, i tha REL-it se është “absolutisht e qartë” që operativët në drejtorinë e kundërinteligjencës në Shërbimin Federal të Sigurisë “do ta kenë ditur për karrierën mbresëlënëse të Sakembaevas, dhe ata nuk kanë humbur asnjë shans që ta shfrytëzojnë atë”.

“Edhe nëse ajo nuk është rekrutuar si një agjente, ajo sigurisht do të ketë qenë dikush e cila në një pikë mund të jetë ‘pyetur’ të bëjë diçka – sikurse të ketë qasje në informacione të ndjeshme – dhe ajo nuk do të kishte mundësi të thoshte jo”, tha Soldatov.

Sakembaev dhe Rudenko nuk u përgjigjën në kërkesën për koment dhe në një kërkesë të tillë nuk u përgjigj as Ministria e Jashtme ruse, e as misioni i përhershëm i Rusisë në OSBE.

“Koloneli”

Për disa vite, tani ish-diplomati rus, Anton Vushkarnik, ka shërbyer në role si ekspert i lartë dhe këshilltar në zyrën e sekretarit të Përgjithshëm të OSBE-së. Por, në korridoret e pallatit të rinovuar dyshekullor në qendrën historike të Vjenës ku gjendet Sekretariati, disa nga kolegët e Vushkarnikut i referohen atij me një nofkë që aludon në shërbimet e inteligjencës ruse: “Koloneli”.

Sipas një artikulli të përbashkët të Der Spiegel, transmetuesit publik gjerman ZDF, dhe Der Standard nga Austria të publikuar në shtator, disa shërbime të inteligjencës dhe diplomatë nga disa shtete besonin se Vushkarnik – i cili nuk ishte identifikuar me emër në këtë raport – punon për inteligjencën ruse, edhe pse REL-i nuk ka gjetur dëshmi të qarta për këtë gjë.

Një burim në Qeverinë amerikane në Uashington, megjithatë i tha REL-it se Vushkarnik ka qenë një person me interes të madh për inteligjencën amerikane sesa një punonjës mesatar i Ambasadës ruse.

Më 2017, sekretari i Përgjithshëm i OSBE-së, Thomas Greminger, vendosi të krijonte Njësinë e ashtuquajtur për Mbështetjen e Politikave Strategjike (SPSU) brenda zyrës së tij. Greminger, shtetas zviceran, donte që SPSU-ja të ishte një vend ku do të bashkoheshin ekspertët nga Rusia dhe SHBA-ja, si dhe nga BE-ja dhe Zvicra. Ministria e Jashtme ruse propozoi Vushkarnikun, 52 vjeç, si kandidat të preferuar për të përfaqësuar Rusinë n këtë njësi, dhe Greminger e pranoi.

Shumë nga shtetet anëtare të OSBE-së nuk i kuptuan detyrat dhe qëllimet e SPSU-së, dhe kjo njësi ishte parë si njësi që ishte kundër frymës së OSBE-së si një organizatë përfshirëse, thanë dy diplomatë aktualë që punojnë në misione të përhershme të OSBE-së.

Për rolin e tij si këshilltar i lartë, Vushkarnik ishte dërguar dhe paguar nga Ministria e Jashtme ruse. Kritikët nuk ishin vetëm të palumtur që Rusia – që në atë kohë kishte pushtuar Gjeorgjinë, kishte pushtuar territor ukrainas dhe kishte refuzuar që të tërhiqej nga rajoni i shkëputur i Transnjestër në Moldavi – ishte ftuar të bënte pjesë në këtë njësi. Ata, po ashtu, ishin të shqetësuar me mungesën e transparencës në përzgjedhjen e përfaqësuesve të kësaj njësie.

Emërimi i Vushkarnikut në SPSU ndodhi pas një karriere dekadëshe në Ministrinë e Jashtme ruse. Nga viti 2011 deri më 2015 ai kishte mbajtur postin e drejtorit të Çështjeve të Kongresit të Ambasadën ruse në Uashington në kohën kur ambasador ishte Sergei Kislyak.

Në rolin e tij në ambasadë, Vushkarnik mbrojti shitjen e armëve ruse për presidentin sirian, Bashar al-Assad, gjatë raportimit të tij në Kongres. Ai, po ashtu, i dërgoi një punonjësi të Kongresit amerikan emaile me përmbajtje homofobe, si dhe një video që mbështeste zaptimin e Rusisë të Krimesë më 2014 dhe një shkrim të Fyodor Dostoyevskyt që pretendonte se të “gjitha këto fise sllave” ishin “urrejtës, ziliqarë, shpifës dhe madje armiq të drejtpërdrejtë” të Rusisë.

Deri në vitin 2018, Vushkarnik mbajti një post për planifikimin e politikës së jashtme në Ministrinë e Jashtme ruse dhe u takua me përfaqësuesit e Ministrisë së Jashtme bjelloruse në Minsk në një rund konsultimesh ndërministrore të të dyja shteteve për politikën e jashtme. Pak pas kësaj, ai mori detyrën në OSBE.

Pasi disa takime të OSBE-së u zhvendosën online për shkak të pandemisë COVID-19, Vushkarnik rregullisht tentoi t’iu bashkohej diskutimeve të lidhura me konfliktin e armatosur midis separatistëve të mbështetur nga Rusia dhe Ukrainës, përfshirë edhe takimet me Misionin e Posaçëm Monitorues në Ukrainë dhe në diskutimet në Grupin Trepalësh të Kontaktit, tha një diplomat në një nga misionet e përhershme të OSBE-së në Vjenë.

“Ai është parë duke iu bashkuar rregullisht ngjarjeve të organizuara në Zoom, ngjarje që njerëz si ai nuk do të duhej të merrnin pjesë”, tha ky diplomat për REL-in.

Vushkarnik ishte përfshirë edhe në një projekt tjetër të Gremingerit, të quajtur Nisma për Bashkëpunim në Siguri (CSI). E themeluar në mesin e vitit 2019 në kohën kur Greminger ishte ende në OSBE, sipas ueb-faqes së CSI-së, kjo nismë përshkruhet si “një grup i analistëve politikë me bazë në Vjenë, të cilët janë të shqetësuar për nevojën për një qasje më bashkëpunuese për sigurinë dhe për paaftësinë e shteteve që në mënyrë efektive t’i përdorin organizatat ekzistuese për bashkëpunim në siguri, siç është OSBE-ja, për të zgjidhur konflikte dhe për të punuar së bashku për çështje të shqetësimeve të përbashkëta”.

Në një intervistë të dhënë në gusht për gazetën zvicerane Neue Zürcher Zeitung, Greminger tha se një zgjidhje e mundshme e luftës së Rusisë në Ukrainë do të ishte që Kievi “t’ia dorëzojë përkohësisht terrorin e pushtuar Rusisë”.

Një zëdhënës i Gremingerit tha se ish-sekretari i Përgjithshëm i OSBE-së nuk ishte i qasshëm për koment.

Kur Helga Schmid mori postin e sekretarit të Përgjithshëm të OSBE-së në dhjetor të vitit 2020, ajo shpërbëri SPSU-në. Por, Vushkarniku qëndroi ende në zyrën e saj, ende i dërguar dhe i paguar nga Ministria e Jashtme ruse.

Pyetje të tjera po ngrihen lidhur me raportin e Vushkarnikut me misionin rus.
REL-i ka siguruar fotografi që shfaqin Vushkarnikun në dy raste të ndara duke përdorur një BMW 5, me targa që nisnin me “WD-54”, një kod alfanumerik për makinat që përdoren nga misioni diplomatik rus në Austri.

Një burim në OSBE tha se ai zakonisht ka parkuar makinën afër pallatit Hofburg në Vjenë, që është vendi ku gjendet OSBE-ja dhe ndodhet dhjetë minuta larg në këmbë nga Sekretariati i OSBE-së. Fotografitë e siguruara nga REL-i shfaqin Vushkarnikun dhe makinën në po atë lokacion.

Edhe pse ai është i dërguar ndërkombëtarisht dhe paga e tij mbulohet nga Ministria e Jashtme ruse, Vushkarnik nuk është i akredituar me misionin diplomatik të Rusisë në Austri, por është anëtar i stafit ndërkombëtar të OSBE-së. Si i tillë, atij i kërkohet që të respektojë rregullat e stafit të OSBE-së dhe Kodin e Sjelljes, edhe pse pozita e tij si zyrtar i lartë brenda një organizate ndërkombëtare nuk i jep atij privilegje dhe imunitet.

Pagat janë të rregulluara dhe transferet e parave nuk bëhen drejtpërdrejt nga qeveritë te stafi i deleguar. Stafi i OSBE-së duhet të raportojë të gjitha kontaktet me qeveritë kombëtare që lidhen me punën e tyre, por edhe të gjitha favoret dhe dhuratat që marrin që janë në vlerë prej mbi 40 euro.

“Makina është një aset i madh për të cilin një person nuk duhet të paguajë për të dhe kjo qartë është konflikt interesi”, tha për REL-in një diplomat i lartë në një prej misioneve të përhershme të OSBE-së.

“Potencialisht, kjo mund të jetë pjesë e kontratës së tij të transferimit, por sërish kjo tregon se sa afër është ai me misionin rus”, shtoi diplomati.

Në korrik të këtij viti, Ministria austriake për Çështje Evropiane dhe Ndërkombëtare i dërgoi një letër zyrtare zyrës së Sekretariatit të OSBE-së, duke e informuar atë se policia austriake e kishte identifikuar Vushkarnikun për disa shkelje të rregullave në trafik.

Vushkarnik ishte kapur duke ngarë me shpejtësi mbi 130 kilometra në orë në një zonë ku shpejtësia maksimale e lejuar ishte 80 kilometra në orë dhe në një zonë ku kufiri i shpejtësisë ishte 100 kilometra në orë, thuhet në letrën që REL-i e ka parë.

Vushkarnik, po ashtu, ka refuzuar që t’i nënshtrohet një testi për alkool, pasi policia dyshoi se kishte ngarë nën ndikimin e alkoolit “për shkak të erës së dallueshme të alkoolit” që atij i vinte. Ministria tha se ia “kujton” OSBE-së “se të gjithë personat që gëzojnë privilegje diplomatike dhe imunitet” janë të obliguar që t’i respektojnë ligjet e shtetit dhe “në këtë rast, ata po përballen me shkelje serioze në trafik që mund të shkaktojnë rrezik të madh në sigurinë rrugore”.

Vushkarnik, i cili vazhdon të qëndrojë në postin e tij në OSBE 21 muaj pas nisjes së pushtimit rus të Ukrainës, nuk iu përgjigj kërkesës për koment.

Përkthyesja e Putinit

Daria Boyarskaya, nga Kaliningradi, fillimisht mori vëmendje ndërkombëtare në qershor të vitit 2019, kur shërbeu si përkthyese e Putinit gjatë takimit të tij me presidentin e atëhershëm amerikan, Donald Trump, gjatë takimit të G20-s në Osaka të Japonisë.

Këshilltarja për siguri kombëtare e Trumpit, Fiona Hill, më pas publikisht tha se Kremlini në mënyrë specifike ia kishte dhënë këtë detyrë Boyarskayas, në përpjekje për të shpërqendruar Trumpin. Postimet në rrjetet sociale të Boyarskayas përfshijnë fotografi të shumta glamuroze të saj.

“Ne e dimë se kështu është rasti sepse ishte dikush tjetër në listë, një burrë, që ishte caktuar të përkthente në atë sesion të caktuar. Dhe në minutën e fundit, rusët ndryshuan përkthyesin”, tha Hill në tetorin e vitit 2011 gjatë një interviste për Good Morning America. Ajo shtoi se Boyarskaya ishte “një përkthyese e shkëlqyeshme”.

“Ishte një përpjekje e qartë për të marrë vëmendje, sepse praktikisht presidenti Putin e prezantoi presidentin Trump me përkthyesen, që është një gjë që ai normalisht nuk e bën”, shtoi Hill, që është bashkëautore e një biografie për Putinin.

Boyarskaya paraprakisht ishte punësuar në Ministrinë e Jashtme ruse dhe shpesh kishte shoqëruar Putinin dhe ministrin e Jashtëm, Sergei Lavrov, në udhëtimet jashtë vendit. Ajo ka qenë edhe në bisedimet që Putin ka zhvilluar me këshilltarin për siguri kombëtare të SHBA-së, John Bolton më 2018.

Putin po ashtu kishte punësuar Boyarskayan për takimin e tij me presidentin Barack Obama në Kinë më 2016. Ajo që nga qershori i vitit 2010 ka punuar kohë pas kohe si përkthyese nga rusishtja në anglisht në mbledhjet vjetore të Asamblesë Parlamentare të OSBE-së që janë mbajtur në lokacione të ndryshme.

Pak më shumë se një vit nga takimi Trump-Putin në Japoni, një vend i lirë pune papritur u shfaq në ueb-faqen e Asamblesë Parlamentare të OSBE për një “këshilltar që do t’i bashkohet Zyrës Ndërlidhëse në Vjenë”.

Në reklamën për punë thuhej se kandidati që do të përzgjidhej, duhet “të flasë rrjedhshëm gjuhën ruse, të ketë përvojë disa vjeçare si përkthyes dhe përvojë në diplomacinë dypalëshe dhe shumëpalëshe”, dhe se duhet të kishte përvojë në punën me hisedarët nga shtetet anëtare të OSBE-së në ish-shtetet e Bashkimit Sovjetik si dhe minimum pesë vjet përvojë pune në një parlament apo qeveri kombëtare.

Kjo ofertë për punë i shkonte për shtati profilit të Boyarskayas, dhe më pas ajo e fitoi këtë vend pune.

Delegatët nga Asambleja Parlamentare e OSBE-së, që folën me REL-in, megjithatë, u ankuan se punësimi i Boyarskayas dhe më pas avancimi i saj, nuk ishin procese transparente dhe se përvoja e saj nuk ishte asgjë tjetër përpos një aset.

Që kur Rusia mori kontrollin e Krimesë më 2014, Asambleja Parlamentare e OSBE-së në mënyrë ekuivoke dënoi agresionin rus në Ukrainë dhe punësimi i Boyarskayas në Ministrinë e Jashtme ruse – veçmas puna e saj si përkthyese personale e Putinit – është parë nga disa parlamentarë të OSBE-së, në rastin më të mirë si e pandjeshme, dhe rrezik për sigurinë në rastin më të keq.

Boyarskaya mori detyrën në shkurt të vitit 2021, pothuajse shtatë vjet pasi Rusia pushtoi Krimenë dhe nxiti luftën në lindje të Ukrainës.

Në një letër dërguar një delegati të Letonisë në Asamblenë Parlamentare, i cili publikisht kishte kritikuar emërimin e saj, sekretari i Përgjithshëm, Roberto Montella, mbrojti Boyarskayan, duke shkruar se “ne jemi krenarë që kemi qenë në gjendje ta marrim atë në punë, veçmas para agresionit ushtarak të Rusisë dhe pushtimit të Ukrainës”.

Delegatët dhe diplomatët nga disa shtete të Evropës Lindore ishin të zemëruar që Montella po injoronte veprimet armiqësore të Ukrainës të bëra përgjatë shtatë vjetëve paraprakë.

Në shtator të vitit 2021, Boyarskaya u avancua në postin e udhëheqëses së Zyrës Ndërlidhëse në Vjenë të Asamblesë Parlamentare të OSBE-së. Asaj iu dha po ashtu përgjegjësia e “zëvendëspërfaqësueses së posaçme”. Kjo pozitë kërkon që ajo të “mbajë kontakte diplomatike, por edhe operacionale, të bashkëpunojë dhe koordinohet për përfaqësuesit e përhershëm të shteteve pjesëmarrëse të OSBE-së dhe me të gjithë trupat vendimmarrës të OSBE-së”.

Procedurat normale për vende të lira të punës në OSBE kërkojnë që ato të shpallen publikisht në mënyrë që të shmangen procese të padrejta të punësimit. Por, roli i ri i Boyarskayas u njoftua thjesht përmes një letre të brendshme të titulluar “Lajme nga Kopenhaga”, ku ka selinë Asambleja Parlamentare e OSBE-së.

Një burim brenda zyrës së Montellas tha për REL-in se pozita e Boyarskayas si udhëheqëse e Zyrës Ndërlidhëse dhe zëvendëspërfaqësuese e posaçme nuk është shpallur.

Një listë e vendeve të lira të punës në Sekretariatin Ndërkombëtar të Asamblesë Parlamentare të OSBE-së që është publikuar në ueb-faqen e organizatës ende shfaq vendin e punës për postin e këshilltarit – post që tashmë nuk ekziston – në të cilin fillimisht u punësua Boyarskaya më 2020, por nuk shfaq edhe vendin e punës për udhëheqësin e Zyrës Ndërlidhëse në Vjenë, post që më pas ajo e mori.

Duke iu përgjigjur një sërë pyetjesh për punësimin dhe avancimin e Boyarskayas, zëdhënësi i Asamblesë Parlamentare të OSBE-së, Nat Parry, përmes një deklarate në emër të Montellas tha se “këto çështje veçse janë diskutuar dhe janë qartësuar brenda organizatës me udhëheqjen e Asamblesë Parlamentare të OSBE-së në trupat kompetentë të Asamblesë”.
Delegatët nga disa shtete të Evropës Lindore vazhdojnë të kundërshtojnë punësimin e saj.

Barbara Bartus, udhëheqëse e delegacionit polak në Asamblenë Parlamentare të OSBE-së, përmes një deklarate i tha REL-it se ajo beson se “nuk mund të jetë gjëja më përfituese për organizatën tonë që të kemi një person që bashkëpunon ngushtë me regjimin e Putinit, përgjegjës për luftën në Ukrainë, që një person i tillë të mbajë pozitë menaxheriale në strukturat e Asamblesë Parlamentare të OSBE-së”.

Në një konferencë për media më herët gjatë këtij viti, udhëheqësja e delegacionit të Lituanisë në OSBE, Vilija Aleknaite-Abramikiene, e quajti Boyarskayan “një individë mjaft kundërthënës nga rrethi më i ngushtë i Putinit”, dhe pyeti se mbi çfarë baze Montella zgjodhi “të emëronte një person me lidhje të ngushta me shërbimet e posaçme ruse” që të udhëheqë Zyrën Ndërlidhëse në Vjenë të Asamblesë Parlamentare të OSBE-së.

Me postin që ka, Boyarskaya ka qasje në të gjitha kontaktet operacione të OSBE-së në mbarë Evropën Lindore, në Kaukazin Jugor dhe Azinë Qendrore, por edhe në Sekretariatin Ndërkombëtar. Ajo, po ashtu, asiston me përgatitjet për vizitat zyrtare të zyrtarëve të Asamblesë Parlamentare të OSBE-së, si dhe në ndihmën e misioneve vëzhguese të zgjedhjeve.

“Sekretari ynë i përgjithshëm vendosi vetë për stafin, pa u konsultuar me politikanët”, tha Aleknaite-Abramikiene në një intervistë për REL-in.

Por, nuk ka kritika për punën e Boyarskayas si përkthyese.

Pjesë e përshkrimit të punës së saj përfshinte mbajtjen e versionit rus të ueb-faqes së Sekretariatit Ndërkombëtar, por edhe redaktimin dhe rishikimin “e përkthimeve të bëra nga Sekretariati Ndërkombëtar apo nga jashtë, për t’u siguruar se kanë kualitet të duhur dhe pasqyrojnë si duhet përmbajtjen”.

Delegatët rusisht-folës në Asamblenë Parlamentare, megjithatë, kanë theksuar se përkthimet e saj në rusisht kanë shmangur që të përmendin Rusinë në kontekstin e luftës në Ukrainë.

Për shembull, në versionet në anglisht dhe rusisht të titullit të të njëjtit artikull të publikuar në ueb-faqen e Asamblesë Parlamentare të OSBE-së në mes të shkurtit, ka dallime. Në versionin rus nuk është përmendur “Rusia” dhe në të shkruhej “lufta kundër Ukrainës” në vend se “lufta e Rusisë kundër Ukrainës” ashtu siç shkruhej në versionin në gjuhën angleze.

Pasi një media austriake pyeti Montellan për këto dallime, përkthimet u ndryshuan në mënyrë që versionet në të dyja gjuhët të ishin njësoj. Kritikët i kanë parë lëshimet fillestare si lëshime të qëllimshme ndaj Rusisë.

Polonia, në veçanti, i ka bërë shumë të qarta shqetësimet që i ka sa i përket Boyarskayas.

Pak kohë pas takimit të Asamblesë Parlamentare të OSBE-së në qytetin polak, Lodz, vjeshtën e vitit 2022, Boyarskaya dhe punonjësja tjetër ruse e OSBE-së, Anzhelika Ivanishcheva, u shpallën ‘personae non grata’ (persona të padëshiruar) nga Ministria e Brendshme e Polonisë. Kjo ministri tha se prania e tyre në territorin polak “paraqet kërcënim për sigurinë shtetërore”, duke shtuar se të dyja këto gra “janë mbështetëse të regjimit të Vladimir Putinit”.

Më 16 shkurt, Boyarskaya u ndalua në kufirin mes Lituanisë dhe Rusisë teksa po tentonte të vizitonte familjarët e saj në Kaliningrad. Korrespondencat që i ka siguruar REL-i tregojnë se Andreas Nothelle, një avokat gjerman dhe konsulent në Asamblenë Parlamentare të OSBE-së, u caktua që të kërkonte “në emër të” Montellas që Polonia t’i hiqte sanksionet ndaj Boyarskayas. Një letër shtesë që e ka siguruar REL-i, që është dërguar nga Nothelle te Ministria e Jashtme e Lituanisë, kërkonte shpjegim për ndalimin e Boyarskayas.

Nothelle refuzoi të komentonte kur u kontaktua nga REL-i, duke u thirrur në “sekretin profesional”.

Në një takim më herët gjatë këtij viti, kreu i delegacionit të Letonisë, Rihards Kols, e lidhi Boyarskaya me Anna Chapman, një agjente ruse e cila u arrestua nga FBI-ja më 2010 si pjesë e një operacioni për të kapur spiunët rusë. Delegatë të tjerë nga shtetet e Baltikut kanë pyetur Montellan lidhur me situatën financiare të Asamblesë Parlamentare të OSBE-së dhe kanë kërkuar që të kryhet një auditim.
Pas këtij takimi, Montella i dërgoi një letër qortuese Kolsit, i cili e postoi online.

“Këto akte do të konsideroheshin shpifje dhe në shumë vende do të ishin subjekt i ndjekjes penale”, shkroi Montella.

Ai, po ashtu, siguroi Kolsin se Boyarskaya “ishte zotuar se do t’i respektonte rregullat e stafit, por edhe Kodin e Sjelljes, që ia ndalojnë pjesëtarëve të stafit që të marrin instruksione apo pëlqime nga shtetet prej nga vijnë”.

Një diplomat evropian nga një mision i përhershëm i OSBE-së i tha REL-it se “Boyarskaya nuk është vetëm një shtetase e thjesht ruse”.

“Si përkthyese e Putinit, ajo ka qenë subjekt i procedurave të sigurisë në Rusi, që ne e dimë se kanë qasje të stilit të KGB-së. Ne bëjmë pyetje dhe nuk marrim përgjigje të duhura”, tha diplomati.

Tri javë pas publikimit në shtator të artikullit të përbashkët nga Der Spiegel, ZDF dhe Der Standard, që përshkruante Boyarskayan dhe punën e saj në OSBE, por nuk e identifikoi atë me emër, përshkrimi i punës së saj në ueb-faqen e Asamblesë Parlamentare të OSBE-së u ndryshua në “këshilltare e lartë”.

Ajo më nuk figuronte si udhëheqëse e Zyrës Ndërlidhëse në Vjenë, dhe posti si zëvendëspërfaqësuese e posaçme që më parë ajo mbante, tani i përket kryekëshilltarit politik, Francesco Pagani nga Italia.

Boyarskaya nuk iu përgjigj kërkesës për koment.

Continue Reading
Advertisement

Bota

Përleshjet në Jemen i sjellin në konfrontim forcat e mbështetura nga Arabia Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe

Published

on

By

E ardhmja e Jemenit varet në fije të perit pas një kthese dramatike të ngjarjeve në jug, të cilat i kanë futur Arabinë Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe në një konfrontim të drejtpërdrejtë të paparë dhe e kërcënojnë vendin me ndarje.

Të dy fuqitë e Gjirit kanë ndërhyrë në emër të qeverisë së njohur ndërkombëtarisht të Jemenit në luftën civile të gjatë të vendit, por një përçarje e aleancës i ka parë ato të mbështesin grupe të ndryshme rivale në terren, njëri prej të cilëve tani po shtyn për të shpallur pavarësinë e një shteti të shkëputur në Jemenin jugor.

Të premten, forca e mbështetur nga Emiratet e Bashkuara Arabe deklaroi se kishte filluar një “luftë”, duke akuzuar forcat tokësore të mbështetura nga Arabia Saudite për nisjen e një sulmi së bashku me sulmet ajrore nga forcat ajrore saudite.

Lufta civile në Jemen shpërtheu në vitin 2014 dhe e ka zhytur vendin tashmë të varfër në vite dhune vdekjeprurëse dhe në një nga krizat më të këqija të urisë në botë.

Në fillim të luftës, lëvizja rebele Huthi e mbështetur nga Irani mori kontrollin e pjesës më të madhe të Jemenit verior, përfshirë kryeqytetin Sanaa, nga qeveria. Konflikti u përshkallëzua në vitin 2015, kur një koalicion shtetesh arabe, përfshirë Arabinë Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe, nisi një fushatë ushtarake për të rivendosur sundimin e qeverisë.

Një armëpushim ka ulur tensionet në konfliktin me Huthitët në vitet e fundit dhe ka çuar në ngrirjen e vijave të frontit.

Por koalicioni qeverisës i mbështetur nga Arabia Saudite – Këshilli i Lidershipit Presidencial (PLC), i formuar në vitin 2022 dhe i projektuar për të bashkuar fraksione të ndryshme anti-Houthi – është dobësuar.

Në të njëjtën kohë, pjesa më e madhe e Jemenit jugor është marrë nga separatistët e mbështetur nga Emiratet e Bashkuara Arabe, Këshilli Kalimtar Jugor (STC), i cili është zyrtarisht pjesë e koalicionit.

Forcat e Këshillit Tranzicional Jugor separatist të Jemenit mbërrijnë në një zonë malore në fillim të një ofensive në provincën jugore të Abyanit, Jemen (15 dhjetor 2025)
Arabia Saudite paralajmëroi Emiratet e Bashkuara Arabe se ofensivat në Jemenin lindor përbënin kërcënime për sigurinë e saj

Luftimet e brendshme u përshkallëzuan më 2 dhjetor, kur STC – e cila kërkon një shtet të pavarur në jug – nisi një ofensivë ushtarake në shkallë të gjerë në lindje të vendit dhe mori me shpejtësi kontrollin e territorit nga forcat qeveritare. Përparimet e STC-së përfshinin provincën e pasur me naftë Hadramawt që kufizohet me Arabinë Saudite.

STC tha se ofensiva ishte e nevojshme për të “rivendosur stabilitetin” në jug. Por ajo u denoncua si një “rebelim” nga kreu i PLC-së, Rashad al-Alimi, i cili tha se shtytja separatiste e STC-së kërcënonte të copëtonte Jemenin dhe ta zhytte rajonin në kaos.

Tensionet janë përshkallëzuar më tej me sulmet ajrore nga koalicioni i udhëhequr nga Arabia Saudite. Të premten, shtatë persona u vranë në një sulm ajror në një kamp ushtarak të STC-së në Hadramawt, tha një zyrtar i STC-së.

Kjo pasoi sulmet ajrore të martën në portin jugor të Mukallas, ku koalicioni akuzoi Emiratet e Bashkuara Arabe se u kishte dorëzuar separatistëve dy anije të ngarkuara me pajisje ushtarake gjatë fundjavës. Nuk u raportuan viktima, por imazhet e automjeteve të djegura të shpërndara në mediat sociale pas sulmeve sugjeruan se sulmet kishin në shënjestër drejtpërdrejt pajisjet e Emirateve të Bashkuara Arabe.

Automjete dhe kamionçina ushtarake të djegura pas një sulmi ajror të koalicionit të udhëhequr nga Arabia Saudite në Mukalla, Jemenin jugor (30 dhjetor 2025)
Sulmi ajror i koalicionit të udhëhequr nga Arabia Saudite në Mukalla shkatërroi një numër automjetesh ushtarake dhe kamionçinash.

Ministria e Jashtme e Emirateve të Bashkuara Arabe i mohoi akuzat, duke thënë se dërgesa nuk përmbante armë dhe se automjetet do të përdoreshin nga forcat e Emirateve në vend.

Pas sulmeve të së martës, kreu i Këshillit Presidencial të Jemenit tha se kishte anuluar një traktat të përbashkët mbrojtjeje me Emiratet e Bashkuara Arabe dhe urdhëroi të gjitha forcat e saj të largoheshin nga vendi brenda 24 orëve.

Ministria e Jashtme saudite mbështeti thirrjen që forcat e Emirateve të largohen, duke akuzuar Emiratet e Bashkuara Arabe se po bëjnë presion ndaj STC-së për të nisur ofensivën në lindje, e cila ka arritur në kufijtë e Arabisë Saudite. Ministria paralajmëroi se siguria kombëtare e Arabisë Saudite ishte një “vijë e kuqe”.

Emiratet e Bashkuara Arabe mohuan se qëndronin pas fushatës së fundit ushtarake të STC-së, por, në një veprim që ishte i papritur për shumë njerëz, disa orë më vonë ajo pranoi kërkesën dhe pranoi të tërhiqte forcat e saj nga Jemeni.

Motivimet e Emirateve të Bashkuara Arabe në mbështetjen e STC-së në Jemen shihen si ndihmë për të siguruar akses në portet kryesore detare dhe sfidim të një partie islamike që është në qeveri.

Por edhe nëse Emiratet e Bashkuara Arabe heqin plotësisht praninë e tyre fizike në Jemen, kjo “nuk do të ndryshojë asgjë” dhe nuk nënkupton një tërheqje të forcave të STC-së që mbështet, thotë Farea al-Muslimi, një studiuese në Chatham House.

“Emiratet e Bashkuara Arabe nuk kanë pasur një prani të konsiderueshme trupash në Jemen që nga viti 2019. Ato janë mbështetur te forcat speciale dhe kryesisht te rrjeti i tyre i përfaqësuesve që punojnë drejtpërdrejt në terren”, thotë zoti Muslimi.

Një grua e zhvendosur nga Jemeni përgatit ushqim për familjen e saj në një kamp të improvizuar në Sanaa, Jemen (24 dhjetor 2025)
Më shumë se 19 milionë njerëz kanë nevojë për ndihmë humanitare në Jemen

Në zonat e sapokontestuara si Hadramawt, perspektiva e një përshkallëzimi më të gjerë luftimesh po alarmon familjet.

“Disa njerëz po mendojnë të shkojnë në fshatra ose të qëndrojnë me të afërmit nëse gjërat përkeqësohen. Por shumica e njerëzve nuk kanë mundësi të largohen nga qyteti”, thotë Mohamedi nga Mukalla.

“Shumica e njerëzve po dalin më pak [dhe] kanë ruajtur disa mallra si miell dhe oriz. Të gjithë po i ndjekin lajmet nga afër, moment pas momenti.”

Vite të tëra konflikti shkatërrues kanë shkatërruar ekonominë e Jemenit. Rreth 40 milionë banorë të vendit kanë duruar atë që agjencitë e ndihmës e quajnë krizën e tretë më të keqe të urisë në botë – një krizë që ka kërcënuar vazhdimisht të arrijë nivelet e urisë. Në vitin 2021, OKB-ja vlerësoi se 377,000 njerëz kishin vdekur si pasojë e konfliktit dhe ndikimit të tij në urinë dhe kujdesin shëndetësor, nga të cilët 259,000 thuhej se ishin fëmijë nën moshën pesë vjeç.

Ndërsa konflikti aktual po paraqitet nga jashtë si një luftë e re me ndërmjetës midis dy fuqive të Gjirit, vëzhguesit e afërt të politikës jemenase i kanë parë përshkallëzimet e fundit nga STC si të pritura prej kohësh.

Ambiciet e STC-së janë rritur pas zgjerimit të fundit të kontrollit mbi pothuajse të gjithë jugun e vendit, tha për BBC Arabic gazetari i çështjeve jemenase Anwar al-Ansi.

“[Shefi i STC-së, Aidarous] Al-Zubaidi ka qenë personi më konsistent brenda Jemenit, duke kërkuar vazhdimisht pavarësinë për Jemenin jugor. Pra, jo, nuk mendoj se ai do të dorëzohet”, thotë zoti Muslimi.

Një flamur i Këshillit Kalimtar Jugor (STC) separatist i mbështetur nga Emiratet e Bashkuara Arabe valëvitet mbi një kamionçinë ushtarake në një tubim nga mbështetësit e STC në Aden, Jemen (1 janar 2026)
Këshilli Kalimtar Jugor dëshiron një shtet të pavarur në Jemenin Jugor

Duke folur për BBC-në, Anwar al-Tamimi, një zëdhënës i STC-së, konfirmoi aspiratat e tyre.

“Qëllimet tona kanë qenë gjithmonë të qarta prej vitesh dhe kjo është të krijojmë një shtet të pavarur, nuk jemi përpjekur të mashtrojmë askënd”, tha ai.

“Është e drejta e njerëzve të jugut të zgjedhin fatin e tyre, për fat të keq shumë në rajon janë përpjekur të na pengojnë.”

Ai mohoi se pavarësia do të përbënte një kërcënim për sigurinë kombëtare të Arabisë Saudite.

“Ne do të kemi stabilitet dhe nuk do të jemi një burim terrorizmi që i kërcënon ata”, tha ai.

Nëse këto siguri do të jenë të mjaftueshme për të parandaluar forcat e mbështetura nga Arabia Saudite që përpiqen të rimarrin kontrollin e tyre në Jemenin jugor, është e paqartë.

“Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Arabia Saudite nuk mund dhe nuk do të jenë në gjendje të bien dakord në Jemen. Ato kanë një logjikë shumë të ndryshme në terren”, thotë zoti Muslimi. “Saudia ka 1,500 km kufi me Jemenin, ndërsa Emiratet e Bashkuara Arabe nuk kanë asnjë.

“Imagjinoni sikur Mbretëria e Bashkuar dhe Franca të hyjnë drejtpërdrejt në një luftë me njëra-tjetrën – kjo është e njëjta gjë që mendoj unë për Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Arabinë Saudite. Ato janë vende të pasura dhe të fuqishme me shumë armë dhe kjo është shumë keq për të gjithë rajonin.”

Continue Reading

Bota

Trump paralajmëron se SHBA-të do të ndërhyjnë nëse Irani vret protestuesit

Published

on

By

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, i ka paralajmëruar autoritetet e Iranit kundër vrasjes së protestuesve paqësorë, duke thënë se Uashingtoni “do t’u vijë në ndihmë”.

Në një postim të shkurtër në rrjetet sociale, ai shkroi: “Jemi të armatosur, të pajisur me armë dhe gati për të filluar.” Ai nuk dha detaje të mëtejshme.

Një këshilltar i lartë i udhëheqësit suprem të Iranit, Ajatollah Ali Khamenei, u përgjigj duke thënë se Trump duhet të jetë “i kujdesshëm” nëse ai ndërhyn, duke paralajmëruar për kaos të mundshëm në të gjithë Lindjen e Mesme.

Të paktën tetë persona raportohet se janë vrarë në Iran pas pothuajse një jave protestash masive të shkaktuara nga përkeqësimi i kushteve ekonomike.

Në postimin e së premtes në Truth Social, Trump shkroi: “Nëse Irani qëllon dhe vret me dhunë protestuesit paqësorë, gjë që është zakon i tyre, Shtetet e Bashkuara të Amerikës do t’i ndihmojnë.”

Në postimin e tij, presidenti amerikan nuk specifikoi se çfarë masash mund të ndërmarrë Uashingtoni kundër autoriteteve iraniane.

Në qershor, SHBA-të kryen sulme kundër centraleve bërthamore të Iranit me urdhër të Trump.

Zyrtarët amerikanë më vonë argumentuan se sulmet kishin penguar ndjeshëm perspektivën e Teheranit për të ndërtuar një armë bërthamore – një pretendim i kundërshtuar nga Irani.

Në shenjë hakmarrjeje, Irani nisi një sulm me raketa ndaj një baze të madhe ushtarake amerikane në Katar.

Menjëherë pas postimit të fundit të Trump në rrjetet sociale, këshilltari i Khameneit, Ali Larijani, lëshoi ​​një paralajmërim të vetën.

“Trump duhet ta dijë se ndërhyrja e SHBA-së në këtë çështje të brendshme do të thoshte destabilizim i të gjithë rajonit dhe shkatërrim i interesave të Amerikës”, shkroi ai.

Pamjet e paraqitura nga Reuters tregojnë protesta në provincën Lorestan të Iranit jashtë një stacioni policie.

Në Iran, gjashtë persona u raportuan të jenë vrarë në ditën e pestë të protestave të enjten.

Dy persona humbën jetën në përleshjet midis protestuesve dhe forcave të sigurisë në qytetin jugperëndimor të Lordegan, sipas agjencisë gjysmëzyrtare të lajmeve Fars dhe grupit të të drejtave të njeriut Hengaw.

Tre persona u vranë në Azna dhe një tjetër në Kouhdasht, të gjithë në perëndim të vendit, raporton Fars.

Fars nuk specifikoi nëse të vrarët ishin demonstrues apo anëtarë të forcave të sigurisë.

Hengaw tha se dy të vrarët në Lordegan ishin protestues, duke i përmendur ata si Ahmad Jalil dhe Sajjad Valamanesh.

Një vdekje u raportua në Fuladshahr, Irakun qendror, dhe një viktimë tjetër në Marvdasht, në jug.

BBC nuk ka qenë në gjendje të verifikojë në mënyrë të pavarur vdekjet.

Pamjet e postuara në mediat sociale treguan makina të djegura gjatë përleshjeve midis protestuesve dhe forcave të sigurisë.

BBC Persian ka verifikuar video që tregojnë protestat e së enjtes në Lordegan, Teheran dhe Marvdasht.

Zyrtarët iranianë thanë më parë se një anëtar i ri i forcave të sigurisë së vendit ishte vrarë të mërkurën në qytetin perëndimor të Kouhdasht.

Por protestuesit thonë se burri ishte, në vend të kësaj, nga radhët e tyre dhe ishte qëlluar për vdekje nga forcat e sigurisë.

Të premten, u raportuan përleshje gjatë ceremonisë së varrimit të burrit, ku morën pjesë mijëra të pranishëm. Anëtarë të uniformuar të forcave të sigurisë u përpoqën të mbanin arkivolin e tij, por turma ua rrëmbeu dhe i përzuri.

Protestat filluan të dielën në Teheran midis dyqanxhinjve të zemëruar nga një tjetër rënie e ndjeshme e vlerës së monedhës iraniane, rialit, kundrejt dollarit amerikan në tregun e hapur.

Deri të martën, studentët e universitetit ishin të përfshirë dhe protestat ishin përhapur në disa qytete, me njerëz që brohorisnin kundër sundimtarëve klerikë të vendit.

Shumë protestues që atëherë kanë bërë thirrje për fundin e sundimit të Khameneit. Disa kanë thënë se duan një kthim në monarki.

Protestat kanë qenë më të përhapurat që nga një kryengritje në vitin 2022 e shkaktuar nga vdekja gjatë paraburgimit e Mahsa Amini, një grua e re e akuzuar nga policia e moralit se nuk e mbante siç duhet vellon, por ato nuk kanë qenë në të njëjtën shkallë.

Presidenti Masoud Pezeshkian ka thënë se do t’i dëgjojë “kërkesat legjitime” të protestuesve.

Por Prokurori i Përgjithshëm i vendit, Mohammad Movahedi-Azad, paralajmëroi se çdo përpjekje për të krijuar paqëndrueshmëri do të përballet me një “përgjigje vendimtare”.

Continue Reading

Bota

Erdogan: Do të flasë me Trump të hënën për Gazën dhe Ukrainën

Published

on

By

Presidenti turk, Tayyip Erdogan, tha se do të zhvillojë një telefonatë me Presidentin e SHBA-së, Donald Trump, të hënën për të diskutuar përpjekjet e paqes midis Ukrainës dhe Rusisë, si dhe çështjet që lidhen me Gazën.

Duke folur me gazetarët në Stamboll të premten, Erdogan tha se biseda e tyre e planifikuar për të hënën pasdite do të përqendrohet në zhvillimet kryesore rajonale.

‘Do të kemi një tjetër telefonatë me Presidentin Trump të hënën’, tha ai, duke shtuar se do të diskutojnë zhvillimet midis Rusisë dhe Ukrainës, si dhe situatën në Palestinë.

Erdogan komentoi gjithashtu tubimin e madh pro-Palestinë të mbajtur në Urën e Galatës në Stamboll ditën e Vitit të Ri, duke e cilësuar atë si një mesazh të fuqishëm publik solidariteti.

‘Ndërsa po hynim në vitin e ri, të gjithë pamë një moment historik në Urën e Galatës. Kjo tregoi qartë se Palestina nuk është vetëm’, tha ai.

Ai theksoi se Turqia do të vazhdojë të qëndrojë pranë Gazës dhe popullit palestinez, si në nivel kombëtar ashtu edhe në koordinim me botën e gjerë islame.

‘Ne nuk e kemi braktisur Gazën apo Palestinën dhe as që do ta bëjmë ndonjëherë’, shtoi Erdogan.

Duke kritikuar sulmet e vazhdueshme të Izraelit në Gaza, Erdogan tha se vuajtjet humanitare, veçanërisht të fëmijëve që jetojnë në kushte të vështira, nuk do të mbeten pa përgjigje.

‘Vuajtjet e fëmijëve që jetojnë në tenda të improvizuara mes erës, shiut dhe baltës nuk do të mbeten pa përgjigje dhe kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu nuk do t’u shpëtojë përgjegjësive’, tha ai.

Erdogan vuri në dukje se përpjekjet për ndihmë humanitare përballen me kufizime të vazhdueshme, duke përfshirë pengesat në shpërndarjen e materialeve të strehimit të përkohshëm në Gaza.

Pavarësisht sfidave, ai tha se Turqia do të vazhdojë të ndjekë të gjitha kanalet e mundshme për të mbështetur palestinezët dhe për të lehtësuar vuajtjet e tyre.

Continue Reading
LIVE ALBUK TV
ALBUK TV LIVE
Albania3 hours ago

Të punësuarve me pagë bruto mbi 176 mijë lekë iu “ulet paga”, deri me 950 lekë, nga 1 janari

Albania3 hours ago

Emigrantët duan të ndihmojnë vendin, por institucionet nuk i përfillin

Maqedonia4 hours ago

Doganat e Maqedonisë në vitin 2025 arkëtuan 2.14 miliardë euro

Albania5 hours ago

Emigrimi i shqiptarëve drejt SHBA-së, ICE: Mos t’ju shkojë mendja të hyni ilegalisht

Kina7 hours ago

BYD i Kinës tejkalon Teslën si shitësi më i madh i automjeteve elektrike në botë

Bota7 hours ago

Përleshjet në Jemen i sjellin në konfrontim forcat e mbështetura nga Arabia Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe

Bota7 hours ago

Trump paralajmëron se SHBA-të do të ndërhyjnë nëse Irani vret protestuesit

Shendetesi7 hours ago

Çfarë i ndodh saktësisht trupit pas një viti pa alkool

Albania9 hours ago

Krimi në familje, burri dhunon gruan për vdekje, vetëvritet me pistoletë

Bota9 hours ago

Erdogan: Do të flasë me Trump të hënën për Gazën dhe Ukrainën

Albania9 hours ago

Emrat/ Zbardhet vrasja, shpërthyen me telekomandë boksin elektrik ku humbi jetën Hysni Ymeri, 4 të arrestuar në Shkodër

Bota10 hours ago

Gjendet e pajetë në hotel vajza e aktorit të famshëm hollivudian

UK19 hours ago

Kalimet vjetore të migrantëve përmes Kanalit, më të lartat që nga viti 2022

UK19 hours ago

Faqet e para të gazetave në UK

Bota20 hours ago

Përleshje vdekjeprurëse midis protestuesve dhe forcave të sigurisë, ndërsa trazirat në Iran shtohen

Albania2 days ago

“Wizz Air” le në mëshirë të fatit pasagjerët e linjës Londër-Tiranë

UK4 days ago

FOTO/ Nëna me dy fëmijët humbën jetën në një zjarr tragjik në Angli

Albania4 days ago

U kap me kokainë me vlerë 230 mijë euro, shqiptari: Mos më dënoni, më lejoni të kthehem në Shqipëri

Albania6 days ago

Shqiptari në Britani shpëton nga deportimi pasi “partnerja nuk i flet shqip”

UK2 days ago

Vizitorët, tarifë për të hyrë në Britani – Shtetasit që udhëtojnë pa viza duhet të aplikojnë për autorizim

UK6 days ago

Rrëzohet aeroplani në Britani, alarm në aeroportin Southend në Londër

Sports4 days ago

Ish-kampioni i botës në boks Anthony Joshua plagoset në një aksident automobilistik në Nigeri, dy persona humbin jetën

UK3 days ago

Bllokohet hekurudha Angli-BE/ Probleme me energjinë elektrike, pezullohen udhëtimet për mijëra pasagjerë

Albania5 days ago

Hetimet për atentatin e Rinasit, burime: Autorët pasi dogjën mjetin që përdorën në krim u larguan me ambulancë

Albania3 days ago

Ironia e një dosje sekrete në Harvard: Amerikanë mbroni Trashëgiminë Ilire, Shqiptarët pas ’90-s e shkatërruan …

UK4 days ago

Bashkimi me euron do të kishte mbuluar koston e NHS-së

Bota4 days ago

Mijëra vetë të ekspozuar ndaj fruthit, alarm në një prej aeroporteve më të ngarkuar në botë

UK4 days ago

Britania marrëveshje me Angolën dhe Namibinë për kthimin e emigrantëve

Albania4 days ago

Emigrantët kthehen, por Shqipëria nuk i mban

Bota5 days ago

Brigitte Bardot: Bjondia seksi që revolucionarizoi kinemanë franceze

Trending