Katër persona janë vrarë dhe tre të tjerë janë plagosur, përfshirë dy oficerë policie, pas një sulmi me thikë që ndodhi sot në Queens të Nju Jork-ut.
Efektivët e policisë të thirrur në lagjen Far Rockaway në orët e para të së dielës gjetën viktimat në një shtëpi që i ishte vënë zjarri, ndërsa autori ka goditur me thikë drejt dy policëve para se njëri prej tyre ta qëllonte për vdekje.
Në një konferencë për shtyp, policia konfirmoi se mori një telefonatë nga një grua e cila tha se kushëriri i saj po vriste anëtarët e familjes së saj.
Dy oficerë u dërguan në adresën e dhënë, ku panë një mashkull që po dilte jashtë godinës. Kur ata u përpoqën të flisnin me të, ky i fundit goditi njërin prej policëve me thikë në qafë dhe gjoks dhe tjetrin në kokë.
Megjithatë njëri nga oficerët ka mundur të nxjerrë armën e tij dhe ka qëlluar të dyshuarin, i cili ka ndërruar jetë pas transportimit në spital.