Nga Ben Andoni
Plot 938 vota ka mbledhur Berisha nga Kuvendi i PD-së (Rithemelimit) për t’u rikonformuar në krye të Grupit të tij. Kësaj i shtohet edhe protagonizmi i Argita Malltezit, të bijës, që ka të ngjarë të nisë një karrierë tek PD (R.) Ajo ishte dhe ngjarja kryesore për këtë Kuvend, pasi rezoluta, që parashtron në mënyrë analitike problematikën në vend dhe ndryshimi statusor pothuaj kanë kaluar pa asnjë kureshtje apo frymë. Ashtu siç mund të pritej, më shumë ka marrë rëndësi interesi për shortin e Shqipërisë në Kampionatin Evropian “Gjermani 2024” sesa ky aktivitet politik, që sot dhe de jure e ndau treshazi PD-në. Më keq se kaq nuk mund të ndodhte, pasi mund ta linin gjendjen e brendshme, që të dukej sikur ishte thjesht dyshazi, derisa Gjykatat të vendoste.
I thirrur në bazë të vendimit të Kryesisë së PD-së (Rithemelimit) Kuvendi ka prezantuar numrin e delegatëve (1203) nga numri i përgjithshëm (1622) i delegatëve të Kuvendit. E vetmja gjë pozitive, zyrtare për ta, është qartësimi i kahut ideologjik, që i përket të Djathtës dhe jo Konservatorizmit, fakt, që e zhbën retorikën e z. Berisha (ndjekur qorrazi nga shumë prej ithtarëve të tij), sa i përket idesë konservatore, ku ai nisi dhe u mundua ta kthente në lëndë të prekshme ideologjike për njerëzit e tij.
Ajo që duhet të shqetësojë këtë grup politik [do të jetë e tillë derisa të legalizohet, (nëse?!)] është se jo vetëm Kuvendi nuk ka marrë rëndësinë e duhur, por as nuk e ka trandur Partinë Socialiste, që përshfaq jo thjesht një kapitull të qartë të forcës së numrave, por edhe të arrogancës së pushtetit, sa i përket së fundmi edhe ngritjes së Komisioneve Hetimor. Preteksi i ligjit të vjetër, motivit, janë kot, kur kujton se para kërkesës së 35 deputetëve, nuk ka ekuivokë në Parlament. Kuptohet që Komisionet zakonisht dalin me dy raporte, pasi kryetari është i Opozitës dhe nënkryetari i Mazhorancës dhe kuptohet që të dyja materialet e kundërshtojnë pak a shumë njëra-tjetrën, që do të thotë mbarojnë në hiç. Në fakt, në thelb të nxitimit dhe narracionit të opozitës, sidomos të kohëve të fundit, ka qenë gjithnjë fati i Berishës. Nëse do të donin që të ndryshonin diçka: të shpreheshin apo le të bënin përpjekje të zhbënin Ndryshimet Kushtetuese të vitit 2008 apo më shumë se kaq të kërkonin kalimet e Referendumeve, në mënyrë që pushteti të ushtrohej direkt nga populli. Por, për këto ka thjesht përcaktime abstrakte se do mund të bëhen në të ardhmen…
Këto të fundit, shtuar dhe me kaosin disa vjeçar brenda PD-së, ku të gjithë janë armiq me njëri-tjetrin, kurse jashtë tyre thjesht i cysin në këtë sherrnajë, e kupton, që PD-ja, sfidën më të madhe e ka me veten e saj. Berisha pohoi se e mirëkuptonte Grupin e Bardhit; ndërsa nuk e llogarit fare, PD-në (Legale); kurse brenda mbështetja është e plotë se armiku mbetet ai dhe vetëm ai, Edi Rama, paradoksalisht bashkëarkitekti i 2008 me Berishën. Ky i fundit nuk llogarit më kundërshtar (armik) brenda PD-së (Rithemelimit), që i është bindur dhe e ndjek verbërisht dhe kjo e bën luftën thjesht hipotetike me “armiqtë” jashtë (Lexo Ramën). Ndaj, kryeministri mban çdo pushtet dhe po e shijon fuqinë, që po ia fal përditë edhe kjo opozitë kaq kaotike, që nuk la më asnjë zë kundër. “Kur nuk ka armik brenda, armiqtë jashtë nuk mund t’ju lëndojnë”, shprehej kryeministri britanik Winston S. Churchill në kushte të tjera, por tek e fundit e jep një pamje të asaj pse Mazhoranca socialiste pothuaj nuk e llogarit një opozitë kaq të ndarë, ku tek Rithemelimit, nuk ka më kundërshtarë!