Ndihmës-sekretari amerikan i Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, James O’Brien tha se pret që qeveria e re e Serbisë që do dalë nga zgjedhjet parlamentare të 17 dhjetorit, të respektojë marrëveshjet e arritura me Kosovën. Zoti O’Brien tha se Shtetet e Bashkuara do të prëcjellin me vëmendje mbarëvajtjen e zgjedhjeve dhe shprehu besimin se ato do të jenë të lira dhe të drejta.
“Populli serb mund të votojë për kë të dojë. Ajo që ne presim nga qeveria është që t’u përmbahet marrëveshjeve që ka arritur sa i përket Kosovës”, tha zoti O’Brien për Zërin e Amerikës. Zyrtari i lartë amerikan shtoi se gjatë muajve të fundit është vërejtur përparim në disa nga çështjet më të diskutueshme midis dy vendeve.
“Disa nga mosmarrëveshjet kyçe kanë nisur të trajtohen si targat, doganat, formularët, e të tjerë. Kemi nevojë që kjo të vazhdojë me ardhjen e një qeverie të re. Duket të shohim përparim në të ardhmen”, – tha zoti O’Brien. Ai tha se e ardhmja e rajonit varet nga marrëdhëniet e ngushta me tregun e përbashkët evropian dhe anëtarësimi i Kosovës dhe Serbisë në BE, një process që siç tha ai mund të kërkojë disa vite.
“Në mënyrë që të bëhen pjesë e tregut të përbashkët evropian, palët duhet të trajtojnë dallimet dhe të pranojnë kufijtë e tyre, pastaj të pajtohen të punojnë së bashku si pjesë e kësaj ndërmarrjeje më të gjerë”, tha zoti O’Brien. Ai tha se kjo është mënyra se si BE-ja ka funksionuar që nga fillimet e saj dhe se kjo metodë ka dhënë rezultate për shumë vende fqinje që kanë pasur marrëdhënie të tensionuara ndër vite. Ulja e tensioneve në veriun e banuar me shumicë serbe është një nga hapat e parë drejt normalizimit të marrëdhënieve midis dy vendeve thotë zoti O’Brien.
“Asnjëra pale nuk ka arsye për të nxitur tensione atje. Ajo zonë duhet të qëndrojë e qetë. Qytetarët serbë që jetojnë në atë rajon duhen mirëpritur në institucionet publike. Kjo mendoj unë, do t’i mbajë tensionet ulur”, – tha ai. Tensionet Kosovë-Serbi shënuan pikën më të lartë në fund të shtatorit, pas një sulmi mbi policinë e Kosovës nga një grup serbësh të armatosur, ku mbeti i vrarë një oficer policie dhe tre prej autorëve të sulmit.
Ndihmës-Sekretari amerikan i Shtetit për Evropën dhe Euroazinë tha se palët i pret shumë punë për të ecur përpara drejt normalizimit në rrugën që janë pajtuar marsin e kalur në Ohër. Të mërkurën, pas takimit të nivelit të lartë të BE-së me vendet e Ballkanit Perëndimor në deklaratën përfundimtare kërkohet normalizimi i marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë, në bazë të marrëshjes së Ohrit, e cila kërkon marrëdhënie të mira fqinjësore ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, njohje të dokumenteve dhe simboleve dhe respektim të sovranitetit dhe tërësisë tokësore të njëra tjetrës.
Ajo kërkon që palët të mos pengojnë njëra tjetrën në proceset integruese, por nuk kërkon njohje të ndërsjellë. Qeveria e Serbisë, në një letër dërguar Zyrës Diplomatike të Bashkimit Evropian, të cilën e ka siguruar Zëri i Amerikës, e quajti deklaratën dokument politik, që nuk është ligjërisht i detyrueshëm. Në letër Beogradi këmbëngul kundër çdo njohje, de fakto apo de jure të Kosovës. /