Të gjithë futbollistët e Kombëtares janë pajisur me pasaporta diplomatike, të cilat ua dha kryeministri Edi Rama.
“Kur skuadra jonë kombëtare u kualifikua në evropianin e 8 viteve më parë, ne u dhamë të gjithë sportistëve, trajnerëve pasaporta diplomatike. Mirëpo, kur nuk u kualifikuan mbas 4 viteve, pasaportave u dogj afat. Tani është koha të vihen në afat, dhe besoj do të përfitojnë shumë lojtarët që e kanë për herë të parë pasaportën diplomatike, si ambasadorë të denjë të shtetit shqiptar.
Thirra kapitenin sepse ishte mosbesues deri në fund, se do ta merrte. Kujton se jam si tjerët që nuk mbaj fjalën, por unë atë që them e bëj”, tha Rama.
Kapiteni i Kombëtares Elseid Hysaj falënderoi presidentin e FSHF Armand Duka dhe kryeministrin Edi Rama, ndërsa tha se kishte besim se do të arrinin një tjetër ëndërr në Gjermani.
“Shumë faleminderit, mund ta humbi prapë siç e humba tjetrën. Falënderoj presidentin, kryeministrin për mbajtjen e fjalës dhe ca të them, për mua është një emocion i dytë kualifikimi në euro 2024. Është kënaqësi me këtë grupin e lehtë, kam besim te çunat e mi që do ia dalim mbanë dhe ndoshta mund të bëjmë një ëndërr tjetër realitet në Gjermani”, tha Hysaj.