/ 45 deputetë të opozitës i janë drejtuar Gjykatës Kushtetuese duke kërkuar shfuqizimin e ndryshimeve në Rregulloren e Kuvendit.
Rregullorja e re e Kuvendit parashikon përjashtim të deputetëve, të cilët kryejnë akte dhune, deri në 60 ditë.
Në kërkesën e deputetëve të opozitës thuhet se, dispozita e Rregullores që vendosin përjashtimin për 30 – 60 ditë të deputetit, duke i ndaluar edhe të kryejë çdo lloj veprimtarie si anëtar i Parlamentit shkel në mënyrë flagrante një sërë të drejtash që deputetit i garantohen nga Kushtetuta dhe ligji. Praktikisht, sipas tyre, kjo dispozitë nënkupton pezullimin e deputetit nga detyra.
Sipas tyre, Dispozitat e Rregullores nuk ndalojnë vetëm ushtrimin e funksioneve të caktuara të deputetit, por lë pa përfaqësim qytetarët që kanë zgjedhur deputetin subjekt i masave disiplinore, në shkelje flagrante me nenin 71 të Kushtetutës.
Deputetët pretendojnë se, këto ndryshime nuk janë frymëzuar nga asnjë interes publik apo qytetar, por vetëm nga interesi politik për të shuar zërin e deputetëve opozitarë.
Sipas tyre, organi që merr vendimet për masat disiplinore është një organ politik, i drejtuar dhe me shumicë nga mazhoranca, që nuk ofron asnjë lloj garancie sa i përket pavarësisë, paanshmërisë dhe objektivitetit në vendimmarrje.
Deputetët theksojnë se, ndryshimet në Rregullore cenojnë parimin e shtetit të së drejtës dhe hierarkisë së normave, parashikuar nga neni 81 i Kushtetutës, pasi ato vijnë në kundërshtim me Kodin e Procedurave Administrative dhe Kodin e Procedurës Penale.
Gjithashtu në kërkesë thuhet se, mazhoranca ka shkelur afatin 7-ditor të përcaktuar nga neni 83, pika 2, e Kushtetutës dhe neni 28 i Rregullores së Kuvendit sa i përket shqyrtimit dhe miratimit me procedurë të përshpejtuar të një vendimi, pasi ndryshimet në Rregullore u miratuan pa kaluar akoma ky afat.