Vdekja e të riut nga Durrësi, Leonard Farruku në anijen “Bibby Stockholm”, e njohur edhe si “burgu lundrues” për azilkërkuesit që kanë kaluar Kanalin La Mansh me gomone, do të hetohet nga autoritetet britanike.
Kështu ka deklarur Sekretari i Brendshëm britanik, James Cleverly, i cili tha se vdekja e papritur e emigrantit do të hetohej plotësisht dhe Rachael Griffin, mjeke e lartë për Dorset, ka konfirmuar se një hetim për vdekjen e tij do të hapet të enjten, më 21 dhjetor.
Zakonisht mbahet një seancë paraprake për të përcaktuar zyrtarisht identitetin e të ndjerit, vendndodhjen e vdekjes dhe potencialisht shkakun e vdekjes.
Gazeta “Daily Telegraph”, e cila ka raportuar për herë të parë emrin e të ndjerit, ka deklaruar se ai ka paguar 4 mijë euro për të kaluar me gomone Kanalin anglez.
Motra e tij, Jola Dushku, 33 vjeçe, e cila jeton në Lombardi të Italisë, tha për gazetën: “Kur fola me të herën e fundit, më tha se kushtet në atë varkë nuk ishin të këqija, por rojet i trajtonin si kafshë.
Sipas të afërmve tanë që janë në kontakt me policinë, Leonardi atë natë në orën 23 të mbrëmjes ka pasur disa probleme dhe është qetësuar nga roja.
Në orën 3 të mëngjesit ai u gjet i vdekur. Nuk kemi më shumë detaje se si ai vdiq”.