20 shqiptarë dhe 2 italianë janë arrestuar, ndërkohë që janë sekuestruar 20 kg kokainë, 81 kg marijuanë, 10 kg heroinë me vlerë 3 milionë euro dhe 453 mijë euro cash në një operacion të quajtur “Turn Over” për goditjen e një organizate kriminale droge. Operacioni u shtri njëkohësisht në Varese, Milano, Lecco, Bergamo dhe Novara.
Rreth 80 Karabinierë së bashku me njësitë e qenve kanë dalë në terren që nga agimi i ditës së sotme, për të ekzekutuar urdhër arrestet. Operacioni u riemërua “Turn Over”, sepse karakteristikë dalluese e klanit ishte zëvendësimi i vazhdueshëm i shpërndarësve që vepronin në zonë me “punëtorë të freskët”, të ardhur nga Shqipëria.
Është konstatuar ekzistenca e një grupi kriminal të njohur tashmë në lajme si i përfshirë në një ngjarje të përgjakshme të ndodhur në nëntor 2016 në Canegrate, në zonën e Legnano. Me atë rast, gjatë një grindjeje me një grup tjetër shqiptar për kontrollin e zonave të trafikut të drogës, u vranë me armë zjarri vëllezërit shqiptarë Agron dhe Alban Lleshaj, 27 dhe 24 vjeç. Një nga të arrestuarit gjatë operacionit të sotëm është vëllai i viktimave të atij episodi.
Hetimi për operacionin e sotëm lindi nga arrestimi në flagrancë i një shtetasi shqiptar, i cili u gjet në posedim të 110 dozave kokainë, me një peshë totale prej 94,2 gram dhe shumën prej 11.950 euro në Qershor 2020.
Shumë prej bashkëpunëtorëve janë të lidhur me njëri-tjetrin nga lidhjet familjare dhe shoqata kriminale karakterizohet nga aftësia për të siguruar një qarkullim të vazhdueshëm për shpërndarësit e zonës, duke siguruar rotacion të subjekteve që vijnë nga vendi i tyre i origjinës çdo 3 muaj.
3 shtëpi janë identifikuar në provincën e Varese, të përdorura ekskluzivisht si “magazinë” për lëndën narkotike dhe një “laborator” për paketimin e dozave. Për më tepër, rezultoi se fakti që disa anëtarë të shoqatës kriminale u ndaluan nuk i pengoi të tjerët që të vazhdojnë, përmes anëtarëve të tyre, të menaxhojnë punët e shoqatës.