Franca, Gjermania dhe Austria janë mes disa vendeve evropiane që rrisin kontrollet e sigurisë dhe mbrojtjen për kishat përpara festimeve të Krishtlindjeve, mes shqetësimeve për kërcënimin e terrorizmit.
Ministri i Brendshëm francez Gerald Darmanin udhëzoi policinë dhe xhandarët që të rrisin praninë e tyre në kishat në të gjithë vendin “për të mbrojtur besimtarët e krishterë që do të mblidhen për festimet e Krishtlindjeve këtë mbrëmje dhe nesër në mëngjes”.
Në Gjermani, autoritetet gjithashtu shtuan përpjekjet e tyre të sigurisë.
“Policia do të bëjë gjithçka që mundemi sonte për të garantuar sigurinë e vizitorëve të katedrales në prag të Krishtlindjes,” tha në një deklaratë të shtunën shefi i policisë së Kolnit, Michael Esser, duke shtuar se të gjithë vizitorët në katedralen e famshme të qytetit do t’i nënshtrohen kontrollit të sigurisë.
Policia kontrolloi katedralen me qen nuhatës të shtunën mbrëma pas raportimit se grupet islamike po planifikojnë një sulm në kishë për natën e Krishtlindjes ose për Vitin e Ri, sipas deklaratës.
Policia i këshilloi vizitorët të mos mbanin çanta me vete për të shmangur vonesat në kontrollet e sigurisë.
Policia në kryeqytetin austriak të Vjenës rriti praninë e saj të sigurisë edhe në ngjarjet e krishtera për Krishtlindje, për shkak të “një rreziku në rritje në Austri gjatë festave të Krishtlindjeve”, thuhej në një deklaratë.
“Ndërsa aktorët terroristë në të gjithë Evropën po bëjnë thirrje për sulme ndaj ngjarjeve të krishtera në këtë kontekst, veçanërisht rreth 24 dhjetorit, autoritetet e sigurisë kanë rritur masat përkatëse mbrojtëse në hapësirat publike në Vjenë dhe provincat federale,” thuhet në deklaratë.
Kujtojmë se natyra e kërcënimit është e paqartë, por Komisionerja Evropiane për Çështjet e Brendshme, Ylva Johansson paralajmëroi në fillim të këtij muaji se me luftën midis Izraelit dhe Hamasit në vazhdim, ekzistonte një “rrezik i madh” sulmesh.
Javën e kaluar, katër anëtarë të dyshuar të Hamasit të dyshuar për planifikimin e sulmeve terroriste në tokën evropiane u arrestuan nga autoritetet gjermane dhe holandeze.