Një dekadë ka kaluar nga aksidenti i frikshëm i Mikael Shumaker në Alpet e Zvicrës, me legjendën e Formula 1 që duket se është ende duke luftuar me jetën. Edhe pse u fut në koma artificiale dhe kreu disa operacione, gjendja e tij vazhdon të mbahet e fshehtë nga familjarët e ish-pilotit.
Gjithsesi duket se heshtjen ka zgjedhur ta thyejë disi vëllai i Mikael, Ralf, i cili gjithashtu ka qenë një pilot i Formula 1.
Në një intervistë të dhënë, ai u shpreh se vëllai i tij ndoshta nuk do mundet kurrë që të rikuperohet plotësisht nga aksidenti i frikshëm dhe se jeta ishte e padrejtë me të.
“Më mungon Mikaeli i ditëve të vjetra. Jeta është kaq e padrejtë ndonjëherë. Ai ishte shumë me fat gjatë jetës së tij. por më pas ndodhi ai aksident tragjik. Fatmirësisht, shkenca e avancuar na solli shumë mundësi. Gjithsesi, asgjë nuk është siç ka qenë më përpara.
Mikaeli nuk ishte vetëm vëllai im. Ai ishte gjithashtu trajneri dhe mentori im. Ai më mësoi çdo gjë rreth garave me makina. Mund të kemi një diferencë prej 7 vitesh, por gjithmonë ka qenë në krahun tim. Ne garonim bashkë, stërviteshim bashkë dhe çdo gjë që kishte lidhje me motorsportet e bënim bashkë.
Aksidenti? Ishte një eksperiencë e frikshme për mua, por sidomos akoma dhe më shumë për fëmijët e tij. jeta është kaq e padrejtë ndonjëherë. Ky fat ndryshoi familjen tonë”, u shpreh Ralf.