Policia e Mirditës ka vënë në pranga një 25 vjeçar nga Tirana në kuadër të operacionit “Sundimi i Ligjit”.
Shtetasi Rahman Rama, u vu në pranga pasi në automjetin e tij u gjetën targa të vjedhura një ditë më parë dhe dyshohet se do të përdoreshin për ngjarje kriminale.
Njoftimi:
Mirditë/Kontrolle të befasishme, në bazë të punës së inteligjencës policore, në vijim të megaoperacionit “Sundimi i ligjit”, për goditjen e paligjshmërive, në të gjitha format e shfaqjes së tyre.
Iu gjetën në automjet, targa të vjedhura një ditë më parë, në Mirditë, të cilat dyshohet se do të përdoreshin për qëllime kriminale, arrestohet në flagrancë 25-vjeçari.
Sekuestrohen targat dhe automjeti që drejtonte i arrestuari.
Si rezultat i punës së inteligjencës policore, kontrolleve dhe hetimeve që po kryhen me intensitet nga Policia e qarkut Lezhë, në kuadër të megaoperacionit “Sundimi i ligjit”, me qëllim parandalimin e ngjarjeve kriminale dhe zbardhjen e atyre të ndodhura më parë, specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Mirditë kanë goditur një rast të vjedhjes së targave të automjeteve, për t’i përdorur për qëllime kriminale. Për rastin u kap në flagrancë dhe u vu në pranga shtetasi Rahman Rama, 25 vjeç, banues në Tiranë.
Shërbimet e Policisë së Mirditës, në bashkëpunim me ato të Policisë së Kukësit, kanë ndaluar në aksin rrugor “Krumë-Kukës”, automjetin tip “Golf” që drejtonte ky shtetas. Nga kontrollet në brendësi të automjetit u gjet një palë targa automjeti, që ishin denoncuar të vjedhura një ditë më parë, nga shtetasi V. N., banues në Mirditë, të cilat dyshohet se do të përdoreshin për qëllime kriminale.
Targat u sekuestruan nga Policia, së bashku me automjetin tip “Golf”.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë, për veprime të mëtejshme.