Udhëheqësi i Koresë së Veriut, Kim Jong Un, ka thënë se bashkimi me Jugun nuk është më i mundur dhe se kushtetuta duhet të ndryshohet për ta përcaktuar shtetin jugor si “armikun kryesor”.
Kim tha gjithashtu se tre organizata që merren me ribashkimin do të mbyllen, shkruan BBC.
Nga ana tjetër, presidenti i Koresë së Jugut tha se do të përgjigjet “shumë herë më fuqishëm” ndaj çdo provokimi nga Veriu.
Dy Koretë janë ndarë që nga përfundimi i Luftës Koreane në 1953.
Ata nuk nënshkruan një traktat paqeje dhe prandaj kanë mbetur teknikisht ende në luftë që atëherë.
Në një fjalim të mbajtur në Asamblenë e Lartë Popullore – Parlamenti i Koresë së Veriut – Kim tha se kushtetuta duhet të ndryshohet për të edukuar koreano-veriorët se Koreja e Jugut është “armiku kryesor dhe armiku kryesor i pandryshueshëm”.
Ai tha gjithashtu se nëse një luftë shpërthen në gadishullin Korean, kushtetuta e vendit duhet të pasqyrojë çështjen e “pushtimit”, “rimarrjes” dhe “inkorporimit” të Jugut në territorin e tij.
Kim – i cili zëvendësoi babanë e tij, Kim Jong-il, si udhëheqës të Koresë së Veriut në vitin 2011 – tha se Veriu nuk donte luftë por as nuk i shmanget diçkaje të tillë.
Ai tha se po merrte një “qëndrim të ri” për marrëdhëniet veri-jug, i cili përfshinte shpërbërjen e të gjitha organizatave të ngarkuara me ribashkimin.