Emigrimi drejt Evropës do të rritet në vitin 2024, ndërsa njerëzit përpiqen të arrijnë në kontinent përpara se ligjet e reja të hyjnë në fuqi. Të shqetësuar nga fushatat zgjedhore në Evropë, në Britaninë e Madhe dhe SHBA, shumë nga ata që duan të vijnë në Evropë do të nxitojnë të mbërrijnë përpara se sistemi të ndryshojë.
“Njerëzit do t’i dëgjojnë të gjitha këto masa mbi migracionin të shpallura në fushatat zgjedhore dhe do të mendojnë se duhet të jenë në BE, përpara se ligjet të hyjnë në fuqi”, tha Michael Spindelegger, drejtori i përgjithshëm i ICMPD.
Ai u kërkoi politikanëve të dyfishojnë përpjekjet për të krijuar rrugë ligjore për të ngritur qendra rekrutimi dhe trajnimi në vendet afrikane dhe të Azisë Qendrore, ku shumë emigrantë po vijnë në Evropë, raporton The Guardian.
Sipas raportit vjetor të ICMPD-së, lufta në Lindjen e Mesme dhe perspektiva e rifitimit të pushtetit nga Donald Trump në Shtetet e Bashkuara do të rrisin numrin e qytetarëve që largohen nga vendlindja.
Ligjet e reja të migracionit, të miratuara nga BE në fund të vitit të kaluar, mund të ndihmojnë po ashtu emigracionin e rregullt, thuhet në raport.
“Unë mendoj se do të shohim më shumë refugjatë që vijnë në Evropë, shifra edhe më të mëdha se 2023. Fushatat zgjedhore do të jenë për zgjidhje të shpejta, por ne gjithashtu e dimë se nuk ka asnjë zgjidhje dhe këto rregullime të shpejta nuk do të çojnë në një ulje të emigrimit”, tha ish-zëvendëskancelari dhe ministri i jashtëm i Austrisë, Spindelegger
Ndryshe nga mesazhi ksenofobik i shumë politikanëve anti-emigrantë, Spindelegger tha se Evropa ka nevojë për emigrantë nëse BE kërkon një fuqi punëtore të fortë.
Komisionerja e BE-së, Ylva Johansson, kohët e fundit përmendi nevojën për 1 milion punëtorë më shumë në BE, për të mbajtur ritmin me ndryshimet demografike, duke thënë se ishte një sfidë për ta bërë këtë në mënyrë të rregullt. Nëse sektori privat nuk mund të rekrutojë, ai thjesht do të zhvendosë investimet diku tjetër, paralajmëroi Spindelegger.
“Ne duhet të sigurohemi që kompanitë të mos presin disa vite përpara se të marrin punëtorët që u nevojiten. Nëse nuk i marrin brenda një periudhe të shkurtër kohore, kompanitë do të shpërngulen në një vend tjetër dhe ne e humbim investimin. Kështu që ne duhet të flasim për nevojën për emigrantë”, tha Johansson.
Partneritetet e sektorit privat me qeveritë e BE-së ofruan një gamë shumë më të madhe mundësish ligjore për migrantët sesa marrëveshjet e zakonshme dypalëshe që përfshijnë ndihmë për zhvillim, tha ai.
Spindelegger tha se nevojitej më shumë vëmendje politike nëse ato rrugë ligjore do të funksiononin, duke përmendur një shembull ku njerëzit u trajnuan si pjesë e një partneriteti por ministria e brendshme dështoi të jepte viza.
Të dhënat përfundimtare nga BE për vitin 2023 pritet të tregojnë se më shumë se 1 milion aplikime për azil janë bërë në vitin 2023, me rreth 20% më shumë se 2022 dhe numri më i lartë që nga viti 2016, sipas ICMPD.