Ish deputeti i PD së Rithemelimit, Belind Këllici në një dalje për mediat i ka bërë thirrje drejtuesit të SPAK që të hetojë zbatimin procedurës në rastin e Inceneratorit të Tiranës.
Sipas Këlliçit ka tre muaj që kjo forcë politike ka denoncuar fshehjen e provave për inceneratorin, ndërkohë që sipas tij qytetarët paguajnë çdo ditë 80 mijë euro.
“Është koha që SPAK të mos fshihet më. Është koha që përfituesit dhe pronarët e vërtetë të kësaj sipërmarrje korruptive të dalin përpara drejtesisë. Nuk ka asnjë shqiptar në bote, që beson se në një aferë si inceneratori fantazmë i Tiranës, ku deri më sot janë vjedhur rreth 120 milionë euro, fajin e ka një ish- drejtor periferik i dalë në pension dhe një drejtor tjetër i Bashkisë Tiranë, i cili as në banjë nuk shkonte dot pa lejen e Erion Veliajt”, ka thënë Këlliçi.
Deklarata e plotë
U bënë tashmë 3 muaj që sjellim përpara jush fakte të pakontestueshme se si prokurori i çështjes së hetimit të inceneratorit të Tiranës, ka fshehur provat që lidhin në mënyrë të drejtpërdrejtë kryebashkiakun Erion Veliaj me këtë mega vjedhje.
Në vendimin e gjyqtares Irena Gjoka, për masat e sigurisë ndaj punonjësve të Bashkisë Tiranë, shihet fare qartë se prokurori i kësaj dosje, Dritan Prençi ka fshehur:
- Shkresën e Erion Veliajt dërguar ish-Ministrit të Financave, Shkëlqim Cani, në të cilën kërkonte miratimin për të zhvilluar këtë koncesion, kërkesë të cilës ish-ministri i Financave i përgjigjet negativisht.
- Komunikimin shkresor të Erion Veliajt me ish-ministrin e Financave, Arben Ahmetaj, të cilit i ridërgon kërkesën për miratimin e fillimit të procedurave për këtë koncesion. Arben Ahmetaj me një gjuhe dhe më të prerë dhe kategorike, i rikujton Veliajt se kjo kërkesë nuk është e bazuar në ligj, se studimi është i paplotë dhe se mungojnë fondet për të përballuar këtë koncesion.
- Shkresat e dërguara në Këshill të Ministrave të ish-Ministrit Lefter Koka, ku citohet shprehimisht se ky është një projekt i kërkuar me ngulm nga Erion Veliaj, për të cilin vetë kryebashkiaku kishte filluar dëgjesat publike, pasi e konsideronte si prioritar këtë koncesion.
- Mbledhjen zyrtare të datës 28 shtator të vitit 2017, të Këshillit Bashkiak Tirane, ku Erion Veliaj me zë dhe figure mashtronte këshilltarët në vendimmarrjen e tyre, duke thënë se ky koncesion nuk do të sillte asnjë implikim financiar për Bashkinë Tiranë.
- Të dhënat e dosjes hetimore ndaj Arben Ahmetajt, ku vetë drejtuesi i SPAK Altin Dumani si prokuror i kësaj dosje, përmend e-mailet e zyrtarëve të Bashkisë Tiranë, komunikime të cilat çuditërisht janë zhdukur nga dosja hetimore e Dritan Prençit.
- Raportin e KLSH, të zhvilluar pranë Ministrisë së Financave ku citohet shprehimisht se Erion Veliaj nuk ka marrë miratimin e Këshillit Bashkiak për këtë kontratë koncensionare, e cila e futi Bashkinë Tiranë në një angazhim financiar 30 vjeçar, në vlerën 91 milionë euro.
Edhe pse kanë kaluar 3 muaj nga publikimi i këtyre fakteve tronditëse, të pamohueshme, të dokumentuara nga vetë institucionet e shtetit shqiptar dhe madje edhe të vetë drejtuesit të SPAK, sërish prokurori i dosjes së inceneratorit të Tiranës, vijon të pengojë hetimin e plotë dhe të thelluar të kësaj mega afere.
Çdo ditë që kalon, qytetarët e Tiranës vijojnë të paguajnë 80.000 euro në ditë për një shërbim të cilin nuk e marrin, për një incenerator fantazmë që nuk ekziston, e ndërkohë personat dhe pronarët realë të kësaj sipërmarrje, Erion Veliaj dhe vetë kreu i qeverisë Edi Rama, vijojnë të projektojnë vjedhje të tjera në kurriz të qytetarëve shqiptarë.
Është koha që SPAK të mos fshihet më. Është koha që përfituesit dhe pronarët e vërtetë të kësaj sipërmarrje korruptive të dalin përpara drejtesisë. Nuk ka asnjë shqiptar në bote, që beson se në një aferë si inceneratori fantazmë i Tiranës, ku deri më sot janë vjedhur rreth 120 milionë euro, fajin e ka një ish- drejtor periferik i dalë në pension dhe një drejtor tjetër i Bashkisë Tiranë, i cili as në banjë nuk shkonte dot pa lejen e Erion Veliajt.
Hi sy shqiptarëve nuk i hidhni dot më.