Ndihma e Turqisë për banorët e Laçit, të goditur nga tërmeti i 26 nëntorit, nuk do të kufizohet vetëm në ndërtimin e 500 banesave.
Krahas ambienteve të banimit, investitorët kanë paraparë edhe ndërtimin e objekteve me interes social, si kopshte, parqe, qendër tregtare, parking dhe objekte të kultit fetar.
Këtë e ka bërë të ditur Murat Ahmet Yörük, ambasador i Turqisë në Tiranë, në takimin që ka zhvilluar në Ministrinë e Kulturës të Shqipërisë.
“Pas ndërtimit të këtyre banesave mund të sjell nevojën e ndërtimit të disa, të themi nevojave sociale. Për shembull, në kuadër të këtij projekti është edhe një park fëmijësh, do të ketë hapësira tregtare, do të ketë parkingje. Domethënë, të gjitha ato që nevojiten për një jetesë sa më komode, do të jenë të gjitha të përfshira në këtë projekt. Dizanjimi nuk është bërë akoma. Dizajnimi do të bëhet në bashkëpunim me Qeverinë shqiptare. Por më e rëndësishme është strehimi i këtyre personave të cilët kanë humbur shtëpitë dhe kanë nevojë të kalojnë në shtëpi të reja sa më shpejt. Qëllimi ynë është që t’u japim atyre një cilësi jetese ndoshta edhe më të mirë nga çfarë kanë jetuar më përpara”, ka deklaruar ambasador i Turqisë në Tiranë, Murat Ahmet Yörük.
Ndërtimi, sipas ambasadorit turk Yörük, nuk do t’i lihet në dorë Qeverisë shqiptare, por do të bëhet nga vetë shteti turk.
“Përderisa kjo fjalë është dhënë nga presidenti ynë, realizimi i këtij projekti do të bëhet direkt nga shteti ynë”, ka theksuar Yörük.