Njëri prej figurave kryesore politike në Maqedoninë Veriore, Artan Grubi ka dhënë lajmin e madh. Ai ka treguar se për herë të parë do të formohet një kabinet historik në qeverinë maqedonase, me Talat Xhaferin kryeministër e me plot ministra shqiptarë.
“Krenar që bashkë me Fatmirin, Bujarin, Kreshnikun dhe Jetonin, si dhe Nazimin, Agimin dhe Bekimin, jemi propozuar si pjesë e Kabinetit historik të Kryeministrit të parë shqiptar, Talat Xhaferi, nën udhëheqjen misionare dhe vizionare të rilindasit të fundit të kombit shqiptar, ALI AHMETI. Kur guxuam, ia dolëm, kur ëndërruam, realizuam, kur besuam, punuam, kur u tha, u bë!”, ka shkruar ai.
Kujtojmë që të dielën Kuvendi do të zgjedh Qeverinë Teknike me mandatar Talat Xhaferin. Mandati i saj do jetë 100 ditë, ndërsa detyra e këtij formati të organit ekzekutiv është përgatitja e vendit për zgjedhjet parlamentare të 8 majit. Roli dhe kompetencat e kryeministrit teknik i cili buroi si ide e negociatave të “Përzhinës” në vitin 2015 është i kufizuar, përkatësisht është i cunguar nga fuqia ekzekutive. Ligji mbi Qeverinë përcakton kompetencat e organit ekzekutiv dhe të resorëve brenda saj, kryesisht të atyre që udhëhiqen nga opozita apo kanë zëvendësministra plotësues.