Tirana do të jetë mikpritëse e një samiti për Ukrainën, ku i pranishëm do të jetë edhe vetë kryeministri Volodymyr Zelensky. Burime për gazetaren e Report Tv, Raziela Myslimaj bëjnë me dije se samiti do të mbahet me datë 28 shkurt. Ka qenë vetë kryeministri Edi Rama që paralajmëroi nga Shkupi samitin dhe vizitën e Zelensky në Tiranë.
Një ditë më pas, 29 shkurt, kryeqyteti do të presë liderët e Ballkanit Perendimor, bëjnë me dije burime për Shqiptarja.com dhe Report Tv. Mësohet se fokus i takimit do të jetë rrugëtimi i vendeve të Ballkanit Perëndimor drejt BE, ku pritet të diskutohet për objektivat e vendosura nga unioni për vendet e Ballkanit, si edhe krijimin e themeleve për hapat e ardhshëm në zbatimin e Planit të Rritjes dhe avancimit të bashkëpunimit dhe ndërveprimit me Komisionin Europian.
Kujtojmë se Komisioni Evropian, në nëntor 2023, propozoi një Plan per rritjrn për Ballkanin Perëndimor, i cili synon të zgjerojë përfitimet e Tregut Unik të Bashkimit Evropian në rajon përpara anëtarësimit formal, me synim kontributin pozitiv në rritjen ekonomike dhe përshpejtimin e konvergjencës socio-ekonomike me BE-në.