Personi i vetëm i arrestuar për atentatin në Don Bosko, me një të vrarë e katër të plagosur Roland Ahmetsulaj, një ditë pas arrestimit është marrë në pyetje nga hetuesit. Ai akuzohet se ka mbajtur nën vëzhgim lëvizjet e personave që ishin objektiv i atentatit, ndërsa ka treguar se ka njohje me Kevin Zenelin, personin që dyshohet se ka marrë porosi nga Kasandër Noga për të organizuar vrasjen e Geron Hasanbelliut. Por 36-vjeçari ka mohuar të ketë lidhje me ngjarjen e dy viteve më parë ku mbeti i vrarë Erion Çela dhe u plagosën 4 persona të tjerë.
Nga ana tjetër policia deklaroi zyrtarisht se nga të dhënat e tabulateve dhe qelizave telefonike rezulton se Ahmetsulaj, ka qenë në afërsi të vendit të ngjarjes, dhe ka komunikuar me Kevin Zenelin. Ky I fundit i njohur edhe me emrin Kevin Suçi në bashkëpunim me dy persona të tjerë që nuk janë identifikuar ende nga policia janë autorët e vrasjes së Erion Çelës që rezultoi se nuk ishte ai objektivi. Çela u vra gabimisht, pasi shënjestër ishte Geron Hasanbelliu dhe dy nipat e tij për shkak të një hasmërise të vjetër që kishte me Kasander Nogën.
Policia thotë se bazuar në prova, për të organizuar vrasjen e këtyrë personave, Kasandër Noga ka porositur Kevin Zenelin. Ky i fundit ka kontaktuar Ilirian Feçin dhe vëllëzerit Indrit dhe Gentjan Beqiraj, të cilëve iu është dhënë si parapagim një shumë monetare. Por vëllezërit Beqiraj janë tërhequr nga kryerja e këtij krimi dhe për vrasjen e Hasanbelliut dhe nipave të tij, janë kontaktuar persona të tjerë ende të paidentifikuar nga policia.
Dy vëllezërit Beqiraj u arrestuan në Tetor të viti 2022 dhe rrëfyen se si Kasandër Noga kishte kërkuar vrasjen e kundërshtarit të tij Geron Hasanbelliut.