Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta në një intervistë për Alb Uk Tv, ka dhënë një tjetër mesazh të qartë për qëndrimin e tij kundër ndryshimit të kufijve në Ballkan, një pozicion i cili i adresohet në veçanti çështjes së Kosovës dhe debatit për shkëmbimin e territoreve.
Në intervistën e realizuar nga gazetari Ian Pelham Turner, Meta është shprehur se është në bindjen dhe filozofinë e tij që do të ketë vetëm heqje të kufijve kur shtetet e rajonit të hyjnë në familjen e Bashkimit Evropian.
“E ardhmja e Ballkanit nuk është ndryshimi i kufijve, por është heqja e kufijve si në vetë Bashkimin Europian. Kjo është filozofia kryesore që më ka motivuar mua të punoj mjaft ngushtë me të gjithë fqinjët dhe me vendet e rajonit tonë, me të cilat në të kaluarën për arsye të ditura kemi qenë në një marrëdhënie jo miqësore”, ka thënë mes tjerash presidenti Meta.
“Gjatë këtij viti unë do të doja shumë që ne të çelnim negociatat për anëtarësim në Bashkimin Europian. Do të ishte një arritje pozitive për Shqipërinë dhe këtë ta arrinim bashkë me fqinjën tonë, Maqedoninë, që arriti një sukses të madh duke zgjidhur çështjen e emrit me Greqinë, duke qenë e gatshme tashmë për t’u anëtarësuar edhe në NATO.
Së dyti do të dëshiroja shumë që të kemi edhe një finalizim të suksesshëm të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, pasi kjo do të ishte vendimtare për forcimin e paqes, stabilitetit dhe të bashkëjetesës në rajonin tonë, por edhe për të garantuar perspektivën europiane të dy vendeve, si të Serbisë edhe të Kosovës njëkohësisht”, ka theksuar Meta në intervistën të cilën e ka shpërndarë në profilin e tij në Facebook.
Intervista e plotë: