Rita Ora ka folur për përvojën e saj me ankthin dhe sulmet e panikut në podkastin “Brave New World”. Ajo tregoi se ka shumë ankth dhe mendon se të gjithë në këtë industri vuajnë ankthi.
“Kam shumë ankth. Mendoj se të gjithë në këtë industri vuajnë nga ankthi, që të jem e sinqertë. Është vërtet një gjë e mirë që mund të jetë temë bisede”, tha ajo, ndërsa shtoi se në fillim, nuk kishte njohuri për sulmet e ankthit.
“Mësova se si t’i identifikoj kur ndodhin”, u shpreh Rita dhe tha se teknika e akupunkturës e ka ndihmuar ta përballojë më mirë. “Thjesht marr frymë dhe shtrihem atje për 20 minuta”, rrëfeu ajo.
Këngëtarja tha edhe se ka ndjekur të tjera praktika, si kura kineze, sauna dhe dushet e ftohta. “Përpiqem të përfshij metoda të ndryshme, nuk jam një person që bëj vetëm një gjë”, pranoi ajo. Më parë, Rita ka thënë në një intervistë për Cosmopolitan se shkon tek terapisti një herë në javë.
Sa i përket kësaj metode, akupunktura rreket të balancojë sistemin nervor. “Akupunktura ndihmon në zvogëlimin e ankthit, duke ndihmuar në rregullimin e sistemit nervor, për të risjellë balancën”, shprehet Ashley Flores, profesioniste në akupunkturë. “Trajtimi i akupunkturës të ndihmon ta kthesh trupin në gjendje të relaksuar ku sistemi nervor balancohet”.Kjo metodë kineze synon të zhbllokojë energjinë e bllokuar dhe të rikthejë balancën.
“Ndonjëherë energjia bllokohet, mungon ose nuk ka balancë. Kjo e çon trupin në spirale dhe shkakton një gjendje ankthi”, shprehet Elizabeth Trattner, mjeke e certifikuar e kësaj teknike kineze, e cila punon në Miami. Edhe pse nuk ka shumë hulumtime të thelluara mbi të mirat që sjell akupunktura për ankthin, kërkimet që janë kryer tregojnë se mund të ketë njëfarë përmirësimi.
Gjithsesi, është me rëndësi që të ndiqen edhe seanca me terapistë, ose të merren kura të nevojshme, si dhe të përfshihen edhe meditimi, ushqimi i shëndetshëm dhe stërvitja në përditshmëri, në mënyrë që të zvogëlohet ndikimi i ankthit.