Në tendë vazhdon ta kalojë natën familja Cakaj, tash e dy javë.
Shtëpia u është shkatërruar nga tërmeti i 26 nëntorit, e kjo është ndihma e vetme që kanë marrë nga autoritetet, raporton KTV.
Në këtë hapësirë po e vazhdon jetesën familja prej katër anëtarësh dhe këtë thonë se e bëjnë me frikë.
Ata i kishin kërkuar Bashkisë t’i çonte në ndonjë hotel, por ajo i ka kthyer në tendën pranë shtëpisë.
Edhe Mesrim Kogje me të shoqen jetojnë në tendë që pas rënies së tërmetit.
Problemin më të madh ai thotë se e ka me sëmundjen e të shoqes, pasi nuk po i jepet as ndihma mjekësore.
Në një gjendje të tillë janë edhe disa familje të tjera në Thumanë.
Mirëpo, një numër i konsiderueshëm prej tyre janë vendosur në hotelet në Lezhë e Shëngjin.
Por, kohë pas kohe, po kthehen të kërkojnë gjësende shtëpiake nëpër rrënoja.
Edhe në orët e vona të mbrëmjes, ata e vazhdojnë kërkimin për të parë nëse ndonjë kujtim i tyre ka shpëtuar.
22 persona kanë vdekur nga 4 ndërtesa që u shembën nga tërmeti i 26 nëntorit në Thumanë.